Rindërtimi nga tërmeti/ 1 mijë familje hyjnë para 31 dhjetorit në shtëpitë e tyre të reja

TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Rindërtimi vazhdon dhe programet e granteve janë duke ecur në të gjitha bashkitë.

Kështu u shpreh ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj të dielën, gjatë inspektimit të punimeve përfundimtare të rindërtimit të shkollës  “Ramazan Subashi”,në Marika, të Vorës.

“Janë të aprovuara 100 milionë usd për familjet shqiptare shtëpitë e të cilëve u dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në nivelet DS1, DS2, DS3”- tha Ahmetaj.

Sipas tij, deri sot janë shpërndarë 70 milionë uds dhe deri në fund të këtij viti shpërndahet edhe pjesa e fondit të mbetur.

Përsa i takon njësive individuale, Ahmetaj tha se, “do të jenë 1 mijë familje që do të hyjnë para 31 dhjetorit në shtëpitë e tyre të reja dhe do të festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e tyre, të reja të rindërtuara nga shteti me standardet më të mira dhe të dhëna për ta falas”.

Ahmetaj bëri të ditur se, së fundi ka filluar puna edhe për ndërtimin e pallateve , në Durrës, tek 5 Maji në Tiranë.

“Për 3 apo 4 javë do të kemi ndryshime serioze edhe në Kombinat, të Tiranës, ku banorët e Kombinatit do të shohin fillimin e punimeve të rindërtimi”,- tha ai.

“Ndërkohë që, krahas rindërtimit lufta kundër pandemisë COVID vazhdon, por ne do t’i fitojmë të dyja” u shpreh Ahmetaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.