RFI publikon nekrologjitë e 100… të gjallëve të famshëm? Po!

PARIS, 22 nëntor /ATSH-DPA/ – Radioja franceze, Radio France Internationale (RFI) publikoi aksidentalisht rreth 100 nekrologji të personaliteteve të famshme, që i kishte përgatitur në rast se ata vdisnin.

RFI deklaroi përkohësisht se mbretëresha Britanike Elizabeth II, ish-kryeministri francez Laurent Fabius, aktorët Alain Delon dhe Line Renaud si dhe biznesmeni Bernard Tapie kishin ndërruar jetë, megjithëse ata janë ende gjallë.

“Një problem teknik çoi në botimin e gabuar të disa nekrologjive në faqen tonë të internetit”, tha RFI në një deklaratë duke u kërkuar falje të interesuarve.

”Nekrologjitë e paedituara u shfaqën automatikisht në disa uebfaqe partnere duke përfshirë Yahoo, MSN dhe Twitter”, tha transmetuesi.

“Ashtu si në të gjitha mediat e tjera, gazetarët tanë përgatisin paraprakisht portrete të personaliteteve, kështu që në rast të vdekjes së tyre ne mund t’u ofrojmë lexuesve shpejt informacione të rëndësishme për ta”, tha RFI.

RFI shpejt fshiu nekrologjitë e lëshuara, por dëmi ishte bërë tashmë.

Disa e morën atë me humor, për shembull Line Renaud postoi një foto të saj duke qeshur me qenin në Twitter dhe duke thënë “Siç mund ta shihni, unë jam duke kaluar  shumë mirë!”.

Të tjerët mund të jenë argëtuar më pak nga postimi, si ish-menaxheri Tapie, i cili është i sëmurë rëndë dhe tashmë është deklaruar aksidentalisht i vdekur disa herë, përfshirë nga e përditshmja ”Le Monde”, vitin e kaluar, dhe nga një transmetues sportiv në gusht./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.