Rama për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut: Ishte një njeri i rrallë, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Bashkim Kopliku, ish-zëvendëskryeministri i parë i pluralizmit politik është ndarë nga jetë në moshën 77-vjeçare, pasi e humbi betejën me COVID-19.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot një mesazh ngushëllimi duke e vlerësuar figurën e tij.

“Bashkim Kopliku u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes whatsap-it, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opinionin e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike”, tha Rama.

“Bashkimi ishte një demokrat sojli, prandaj edhe i papajtueshëm me kupolën e batakçinjve të PD, patriot, liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist. Ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë”, shprehet më tej Rama.

“Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën”, tha Rama.

Ai, vijoi kryeministri, ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës.

“Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar. U prehsh më në fund në paqe miku im”, deklaroi Rama./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.