Ngrihet portali “Arkiva elektronike e akteve”/ Akses publikut dhe praktikantëve të fushës në infomacionin ligjor

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Qendra e Botimeve Zyrtare ngriti portalin “Arkiva elektronike e akteve”, i cili siguron akses shumë të mirë të publikut dhe praktikantëve të fushës në informacionin ligjor.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bëri të ditur se krijimi i këtij portali është një nga investimet më të arrira, bashkëkohore dhe funksionale, që siguron akses shumë të mirë të publikut dhe praktikantëve të fushës në informacionin ligjor.

“Në këto kohë të vështira pandemie dhe distancimi social, portali i Qendrës së Botimeve Zyrtare QBZ, “Arkiva elektronike e akteve”, është një nga investimet më të arrira, bashkëkohore dhe funksionale, që siguron akses shumë të mirë të publikut dhe praktikantëve të fushës në informacionin ligjor”, tha Gjonaj.

Në këtë portal, përdoruesit mund të njihen në çdo moment online me aktet bazë të botuara, ndryshimet, shfuqizimet si dhe përditësimet e tyre.

Veprimtaria e sistemit është ngritur në përputhje me standardin ELI (European Legislation Identifier).

Përmes këtij portal sigurohet konsultim në kohë reale për aktet e botuara, si dhe akses i shpejtë edhe përmes pajisjeve mobile.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.