Mjekët ushtarakë po përballen përditë me COVID-19


TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Njësitë Mjekësore Ushtarake në të gjithë territorin po vijojnë të qëndrojnë në krye të detyrës 24 orë në 24, jo vetëm në Spitalin e Traumës, por edhe në çdo repart e strukturë të FA.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri të ditur sot se kohët e vështirë që po jetojmë nuk e kanë ulur vigjilencën dhe përkushtimin e Forcave tona të Armatosura, e veçanërisht të Njësisë Mjekësore Ushtarake.

“Përkundrazi, ata qëndrojnë në krye të detyrës 24 orë në 24, jo vetëm në Spitalin e Traumës, por edhe në çdo repart e strukturë të FA”, deklaroi Xhaçka.

Kolonel dr. Rushan Muhameti, drejtor i Njësisë Mjekësore Ushtarake deklaroi se mjekët ushtrarakë trajtojnë jo vetëm ushtarakët, por edhe pacientë të tjerë që vijnë pranë kësaj njësie.

“Nëse një i sëmurë, është i dyshuar me COVID-19, ne kemi një dhomë ku izolohet dhe aty bëhen të gjitha ekzaminimet. Nëse ai konfirmohet pozitiv, transferohet në spitalet COVID”, tha Muhameti.

Sipas tij, nëse pacientit nuk i lejohet transporti për shkak të traumave, do t’i jepet ndihma pavarësisht risqeve. Personeli ynë, u shpreh ai, ka punuar edhe në disa raste të tilla.

“Në momentin që shikohet se pacienti ka dalë nga gjendja e rrezikut atëherë transportohet në spitalet COVID”, theksoi kolonel Muhameti.

Mjekët ushtarak, vuri në dukje ai, bëjnë diagnostikimin me tamponë për ushtarakët dhe familjet e tyre, si dhe për ushtarakët që shkojnë në mision dhe përgjigjja e tamponit merret shumë shpejt. /a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.