Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- Bashkim Kopliku, ish-zëvendëskryeministri i parë i pluralizmit politik u nda dje nga jeta në moshën 77 vjeçare, pasi e humbi betejën me COVID-19.

Përfaqësues të politikës shqiptare kanë shprehur ngushëllime failjes dhe të afërmve të Koplikut. Ai ka qenë, ish- zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i qeverisë së parë të Partisë Demokratike më 1992 dhe dy herë deputetë në parlamentin e Shqipërisë.

Ruçi: I shërbeu vendit si profesionist, politikan e qytetar

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish deputetit Bashkim Kopliku.

“Ndarja nga jeta e Bashkim Koplikut është një humbje e madhe për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Si deputetet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë periudhës 1992-1997, Kopliku ishte një zë i fuqishëm dhe një parlamentar aktiv. Bashkim Kopliku i shërbeu vendit si profesionist i spikatur, politikan, deputet e qeveritar aktiv dhe pas largimit nga jeta politike edhe si një qytetar i angazhuar”, shprehet Ruçi.

Lleshaj: La pas kujtimet e një jete plot kuptim të një politikani

Ministri I Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se “Bashkim Kopliku shkoi duke lënë pas kujtimet e një jete plot kuptim të një politikani, profesionisti dhe qytetari të angazhuar, me shumë përmbajtje dhe pa zhurmë.  Ngushëllime për familjarët dhe gjithë ata që e ndjejnë përmasën e kësaj humbjeje”.

Basha: Dha kontribut të pakursyer që në ditët e para të krijimit të PD

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-zv.kryeministrit dhe ish-zv/ministrit të Brendshëm Bashkim Kopliku, i cili ishte i infektuar me COVID-19.

Basha shprehet se e ka mësuar me keqardhje ndarjen nga jeta të Koplikut, ndërsa vijon duke thënë se ai është politikani që dha mbështetje dhe kontribut të pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike.

“Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku. Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe”, tha Basha në mesazhin e ngushëllimit.

Topalli: Bashkim Kopliku ishte një figurë e rëndësishme politike e kohës

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-zv,kryeministrit Bashkim Kopliku.

“Kur jam zgjedhur për herë të parë deputete, më caktuan diku në rreshtin e dytë apo të tretë të sallës plenare në mes të doktor Ali Spahisë dhe inxhinier Bashkim Koplikut. Ata kishin eksperiencë në politikë dhe qeverisje. Unë isha e re në politikë dhe shumë e vëmendshme për të mësuar. Flisja shumë pak e dëgjoja shumë. Të dy deputetët që kisha në krah ishin miqësor me mua. Ata kishin idetë e tyre , ndonjëherë nuk binin  dakord as me njëri- tjetrin, por të dy ishin të lirë për të thënë çfarë mendonin”, kujton Topalli.

Ajo shprehet se ”Bashkim Kopliku ishte një figurë e rëndësishme politike e kohës”. “Ai punoi në detyra të rëndësishme në qeverisjen e vendit. Unë dua të shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit Bashkim Kopliku, ish-Zëvendës Kryeministër, ish -Ministër i Brendshëm i PD dhe dy herë deputet. Në atë kohë në politikë shërbenin intelektualët më të mirë të kohës. Ata ishin vehtja e tyre dhe ishin të lirë. Ishte kohë tjetër atëherë”.

Patozi: Shqipëria humbi një burrë të përkushtuar dhe një politikan dinjitoz

Kryetari i Partisë “Bindja Demokratike”, Astrit Patozi shprehet se me ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, “iku një qytetar race”.

“Bashkim Koplikun nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë. Kur ai ishte politikan aktiv, unë bëja shkrime gazetash, ndërsa pas vitit 1997 ndërruam rolet. Por kjo nuk më ka penguar ta respektoj në distancë për angazhimin e vazhdueshëm atdhetar dhe qytetar, të cilin nuk e ndau deri në ditët e fundit të jetës. Edhe pse mund të mos kem qenë gjithmonë dakord me qëndrimet e tij, kam bindjen se Shqipëria humbi sot një burrë të përkushtuar dhe një politikan dinjitoz, nga ata, që përherë e më tepër në këtë vend, fatkeqësisht, po konsiderohen si racë në zhdukje”, u shpreh Patozi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.