“LDSH e hapur për koalicion”/ Valteri për ATSH: Opozita jashtëparlamentare nuk ka një ideal

TIRANË, 22 nëntor /ATSH – I. Vata/ Deputeti i opozitës parlamentare dhe njëherazi koordinatori i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Halit Valteri shprehet se “jemi gati për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, të hapur për koalicion, por jo me qeverinë Rama”.

Në prononcim për ATSH, Valteri tha pse Lëvizja Demokratike Shqiptare pas vendimit të gjykatës ka nisur riorganizimin e strukturave në 12 qarqet e vendit.

“Aktualisht unë po merrem me drejtimin e qarkut Tiranë me organizimin me 15 njësitë administrative, njëherazi dhe në bashkinë Kamëz dhe Vorë, dhe në zgjedhjet e 25 prillit LDSH do jetë e përfaqësuar në çdo të Shqipërisë, dhe të Tiranës gjithashtu ku unë drejtoj”, tha ai.

Valteri tha se kandidatët e LDSH do t’i nënshtrohen sitës së dekriminalizimit, pra pastërtisë së figurës.

“Pra nëse ke moshën e duhur, je datëlindja ’75-’80 duhet që kandidati të marrë pastërtinë e figurës që të mos ketë patur lidhje me sistemin e kaluar. Pra që të mos kesh qenë anëtarë partie, sekretarë partie dhe të mos kesh qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, në LDSH nuk do të ketë figura që mund të kenë qenë ish-drejtues, drejtorë njerëz që kanë firmosur tendera, të gjithë gjitha qeverive të kaluara”, tha ai.

Në lidhje me koalicionet, Valteri tha se “çdo forcë tjetër opozitare dhe jo opozitare nëse na përputhen qëndrimet tona, do jemi të hapur për koalicione. Kurse unë, nëse do kem mandat do preferoj të jem në opozitë me të gjithë këtë klasë politike”, tha ai për ATSH.

Në lidhje me koalicionin me opozitën jashtëparlamentare, Valteri tha se atë e vendos kryesia e LDSH-së, pasi janë disa deputetë që e vendosin.

“Kjo klasë politike për 30 vite që nga shembja  sistemit komunist dhe vendosja e pluralizmit në Shqipëri kanë një linjë, si e majta, si e djathta. Për çdo sulm që ne marrim nga opozita jashtë parlamentare vetëm nderë na bëjnë. Ata nuk kanë një ideal. Ata që drejtojnë sot PD, janë të njëjtët njerëz që kanë patur persona të familjes persekutorë, kanë qenë vetë me shall pioneri në foto me Enver Hoxhën dhe janë po të njëjtën njerëz që kanë marrë pjesë në burgosjen e shumë njerëzve”, tha Valteri për ATSH. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.