Kryemadhi rizgjidhet në krye të LSI-së

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- Një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve në LSI, Komisioni Zgjedhor i partisë ka rikonfirmuar në detyrën e kryetares, Monika Kryemadhin.

Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në LSI, Silva Caka në një deklaratë për mediat tha sot se Kryemadhi mori 42 807 vota pro nga 44 413 vota që ishin gjithsej.

“Ju bëjmë me dije  se për shkak të ndalimit të qarkullimit prej 22:00-06:00, materialet zgjedhore për disa qendra votimi jashtë qarkut të Tiranës janë dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë paradites së sotme. Bazuar në tabelat përmbledhëse të rezultateve, konfirmojmë se ka përfunduar procesi i numërimit të fletëve të votimit për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga rezultatet e administruara kanë votuar 44.413 anëtarë nga të cilët 42.807 votuan pro kandidatit për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonjën Monika Kryemadhi”, tha Caka.

Ajo tha se “1302 zgjedhës votuan kundër dhe 304 vota rezultuan të pavlefshme.

“Bazuar në rezultatet e mësipërme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall kryetare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhin. Vijon ende procesi i numërimit të votave për delegatët e Konventës Kombëtare, rezultati i cilit do të shpallet menjëherë pasi KQZ të njihet me tabelat përmbledhëse të rezultatit për çdo qendër votimi”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.