Hapat e para të përballjes me COVID-19/ Mjekja Entela Labaj për ATSH: Terapia nis me vitamina, antibiotikët vetëm pas ekzaminimit

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Vitamino-terapia është hapi i parë me të cilin personat që dyshohen apo diagnostikohen me COVID-19, duhet të ndjekin. Kjo është këshilla që vjen nga mjekja e familjes në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, Entela Labaj.

Labaj shpjegoi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare sesi ndiqet një pacient i prekur me COVID-19, apo dhe i dyshuar në pritje të rezultatit të testimit.

“Një pacient që fillon dyshon për një COVID-19, pasi jemi dhe në virozat e stinës, duhet të ketë kujdes të bëjë ndarjen e saktë mes të dyjave. COVID 19 fillon me një dhimbje trupore, të paktën shumica e të prekurve këtë kanë deklaruar si simptomë të parë. Më pas fillon një temperaturë e lehtë, 37.2 -.37.5, por ka dhe raste që nis 38  apo 38.5. Në fazën e parë ka gërricje në pjesën e fytit, diarre, këputje, por ka dhe asimptomatikë, por edhe në këtë rast është ndjerë se tek këta pacientë ka pasur ndjenjë ankthi, këputje…etj”,- tha mjekja për ATSH.

“Me t’u shfaqur këto simptoma duhet të nisë procedura e konsultës me mjekun e familjes, ku bëhet vlerësimi i stadit të infektimit. Pacienti mund të marrë në telefon, mund të paraqitet fizikisht, s’ka një rregull fiks për këtë|, shprehet mjekja. Por, nënvizon ajo, për personat e konfirmuar pozitiv me COVID-19, është e detyrueshme të qëndrojnë në shtëpi. Të tjerët, që ende nuk e kanë të konfirmuar nëse janë pozitiv me COVID apo kanë ndonjë ftohje tjetër, ata mund të paraqiten dhe fizikisht”,-saktësoi mjekja në intervistën për ATSH.

Vitamino-terapia sipas mjekes është hapi i parë i kurimit.

“Këshilla jonë ka qenë gjithnjë një vitamino-terapi, pra vitamina C, D dhe zink, që ndihmojnë imunitetin. Nëse kanë temperaturë dhe vijon të paktën 3-4 ditë mbi 37.5, duhet të përdoret paracetamol, takipirinë e thjeshtë. Pacienti duhet të përdor lëngje me shumicë gjatë gjithë kohës, ujë me shumicë, çajra, supra, pasi shumë ankohen se kanë djersitje të shtuar dhe lëngjet do ndihmojnë në rikuperimin e kripërave. Në të tilla raste këshillojmë edhe trisolin, që bën zëvendësimin e kripërave minerale”,- tha Labaj.

“Kur kanë kaluar 3-4 ditë, apo dhe 5 ditë, që ka temperaturë dhe kësaj i bashkangjitet një kollë e thatë pa sekrecione të bardha apo me ngjyrë, pasi ka patur raste me sekrecione me ngjyrë, në këto raste këshillojmë pacientët të realizojnë ekzaminimet radiologjike, laboratorike dhe në bazë edhe të klinikës së pacientit, atëherë vetë mjeku vendos nisjen e antibiotikut të gjeneratës së parë, si azitromicina 500 mg. dhe duke iu bashkëngjitur dhe antibiotik tjetër, në rast se azitromicina nuk bën punë, shkojmë tek levofloksacinë dhe nëse ecuria kalon mes stadit të dytë dhe të tretë i bashkëngjisim deksametazon dhe antikoagulant kur nis insuficiencë e lehtë respiratore, kur shoqërohet me temperaturë pas ditës së gjashtë. Më tej duke parë dhe me oksimetër saturimin e oksigjenit, duke parë analizat laboratorike, gjendjen klinike dhe kontrollet radiologjike vendoset se si do ndiqet pacienti”, shprehet Labaj.

“Kemi pasur pak raste të përkeqësimit të situatës, pasi ka patur dhe një sensibilizim duke u kuruar që në momentin e parë dhe duke përdorur me rregullsi ilaçet. Është një përqindje e ulët që mund të jenë shtruar të paktën flas për pacientët e mi, të cilët ia kanë dalë mbanë”,- tha mjekja për ATSH.

“Sa i takon ushqimeve, duhen lëngje, supërat e pulës, perimeve, frutat, si dhe çajrat po ashtu, çka duhet për të rritur sa më shumë imunitetin e organizmit. Sekreti është forcimi i  imunitetit”,- përfundon mjekja e qendrës shëndetësore numër katër, Entela Labaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.