Buxheti 2021/Gjylameti për ATSH-në: Kryefjalë shëndetësinë dhe sektorët që mbështesin rritjen ekonomike 5.5%

TIRANE, 22 nëntor /ATSH/- Blerina Gjylameti, deputete e Partisë Socialiste u shpreh se “Buxheti i vitit 2021, adreson vëmendje të posaçme për shëndetësinë dhe sektorët e tjerë që sigurojnë të ardhura, me impakt rritjen e ekonomisë 5.5% në 2021 dhe  4.9% për 3 vitet e ardhshme”.

Në një intervistë për ATSH-në, Gjylamet tha se, buxheti i vitit 2021 ka për kryefjalë luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe për këtë qëllim adreson mbështetje për të gjithë sektorin e shëndetësisë me paketën antiCovid, qoftë në pjesën e investimeve në infrastrukturën shëndetësore dhe në të gjitha hallkat në përditshmërinë e kësaj lufte.

“Buxhti i vitit 2021 ka një rritje të konsiderueshme të pagave me 40% për mjekët dhe të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor. Ndërkohë që një mbështetje e veçantë adresohet për çështjet sociale”, – tha ajo për ATSH.

Gjylameti theksoi se, do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2021, dyfishimi i ndihmës ekonomike për të qenë më pranë familjeve në nevojë, si dhe pagesa e papunësisë për të gjithë ata që janë përballur me efektet negative të COVID-19.

Deputetja e PS-së, njëherazi eksperte e ekonomisë tha për ATSH se, nuk është lënë pa vëmendjen e duhur një prej situatave më të vështira që kaloi vendi ynë, me dy tërmetet që ranë vitin e kaluar, të cilët dëmtuan shtëpitë e shumë familjeve.

“Risi në këtë buxhet është fakti që do të plotësohen me shtëpi individuale apo edhe banesa në pallate, të gjitha ata qytetarë shtëpitë e cilëve u dëmtuan  nga tërmeti”, tha Gjylameti.

E kombinuar mbështetja qoftë me bonusin e qerasë dhe me programin e Rindërtimit, është parashikuar një fond prej 28 miliardë lekë, për të arritur që të kemi banesa për të gjithë familjet shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti.

Gjylameti tha se edhe për sektorin e  bujqësisë është rritur fondi i buxhetit për vitin që vjen. Në radhë të parë, vijoi ajo, duke ndihmuar dhe kontribuar për investime në infrastrukturën rurale, nëpërmjet pjesës buxhetore për kanale vaditëse dhe kulluese, diga, po ashtu edhe në skemën e subvencionimit të naftës për të gjithë fermerët që janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë.

Duke u ndalur në komponentë të tjerë ajo nënvizoi se, gjithashtu buxhet 2021 adreson mbështetje për reformat e nisura në sektorin e ujit, infrastrukturës, duke mbështetur projektet madhore për Shqipërinë, që krijojnë mundësi për rritjen e të ardhurave në sektorët e ekonomisë,  që kontribuojnë edhe për të mbuluar shpenzimet, po ashtu edhe në sektorin e energjisë si dhe të reformave të tjera, ku kryefjalë është Reforma në Drejtësi.

“Në këtë buxhet një impenjim i ndërmarrë nga kryeministri Rama është fakti që do të mbështeten me një pagesë një vjeçare të gjithë naftëtarët. Është parashikuar një fond 560 milionë lekë për pagesën 1 vjeçare të naftëtarëve, bashkë me sigurimet gjatë vitit 2021”- tha Gjylameti për ATSH.

Sipas saj, në mënyrë të veçantë zëri që do të kontribuojë më shumë për të patur këtë rritje ekonomike është sektori i rindërtimit me të gjithë zinxhirin e projekteve që janë shumë ambiciozë dhe që kanë të njëjtat standarde te kërkuara për zhvillimin e lagjeve të reja .

Pra nga ajo fatkeqësi natyre po ngremë një moment të rëndësishëm, që është ai i zhvillimit urban sipas standardeve më të mira.

Gjylamet vuri në dukje se, në mënyrë të posaçme pritet që edhe konsumi privat të ketë një rritje, pikërisht nga rritja e punësimit, rritja e të ardhurave në këtë sektor por edhe në sektor të tjerë si kundër është ai i bujqësisë, me synimin për të vazhduar rritjen eksporteve, apo sikurse  është sektori i energjisë etj.

Ajo nënvizoi se, një mbështetje në rritje vjen në këtë buxhet edhe për sektorin e turizmit, që synon rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e efekteve negative nga situata e COVID. Por njëkohësisht duke e parë turizmin si një sektor të rëndësishëm që kontribuon në rritjen ekonomike të vendit .

“Synimi kryesor është që ne të vazhdojmë në trajektoren që ka patur ekonomia shqiptare në këto vite që është ruajtja e treguesve makroekonomikë, që janë shumë të rëndësishëm por pa harruar në këto momente që fokusi kryesor, ka të bëjë me ruajtjen e jetës së njeriut dhe shëndetin.

Vlen për tu përmendur edhe një element tjetër që sot kontribuon në rritjen ekonomike, sikundër është rritja e konsiderueshme me 7.2% e PBB, e të gjithë investimeve publike pa harruar këtu të gjitha investimet private që në shumë prej sektorëve kryesorë do të pësojnë një rritje për vitin e ardhshëm 2021”, – deklaroi për ATSH-në Gjylameti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.