Akuzat për fshehjen e numrit të viktimave/Mjeku Kalo: Qenërinë tuaj për pushtet, mos e injektoni në popull që ta kundërvini ndaj nesh

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- Mjeku i njohur Tritan Kalo, i cili prej 9-muajsh vijon të jetë në vijën e parë të përballjes me pandeminë në spitalin Infektiv, ka reaguar ndaj  akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha për fshehje të numrit të viktimave nga COVID-19.

Kalo shprehet se misioni i mantelbardhëve nuk është baltosur dhe nuk do të baltoset kurrë nga “ish brekëgrisur” që nuk ngopen me vjedhje.

Sipas tij, “politika e çoroditur e këtyre 30 viteve demokraci që me fillimet e saja “gjeti një target lehtësisht të perceptueshëm prej “il poppolo Albanese” si thelbi i keq-qeverisjes së vendit, për të tërhequr vëmendjen nga praktikat e tyre qeverisëse korruptivo-kleptokratike. Fillimisht mjekët dhe personeli mjekësor u akuzuan si bartës të “bluzave të zeza” (1993), dhe sot më 2020 si ”fshehës të numrit dhe shkaqeve të vdekjes” të të sëmurëve të prekur nga “flama e shekullit”, Infeksioni Sars-Cov2/Covid-19, por pa harruar për asnjë çast përpjekjet për “ritestimin e tyre” më 2015, për t’i mbajtur ata/ato nën presionin e kësaj politike”, shprehet mjeku Kalo.

“Krimi më i madh i bërë ndaj Sistemit Shëndetësor Publik dhe jo vetëm, në këto 30 vite të katrahurës socio-ekonomiko-politike dhe një nga “njollat më të zeza” të demon-kracisë “Made in Albania”, thekson ai, ishte dhe mbetet politizimi  i saj i tejskajshëm duke rrënuar me sa të ishte e mundur profesionalizmin e drejtimit të të gjitha hallkave të saj dhe vendosjen e militantëve mediokër në menaxhimin e këtij sektori jetik për të sotmen dhe të ardhmen e vendit, të popullit dhe të vetë kombit shqiptar.

“ Larg duart tuaja të politizuara e të kleptokratizuara ekstremisht prej shëndetësisë sonë. Gjithkush prej nesh si shqiptar meriton të trajtohet në mënyrë të barabartë cilësisht kudo dhe kurdoherë, që ai/ajo e ka të nevojshme ndihmesën për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e shëndetit të tij. Mirëkujdesin për shëndetin e tyre nuk e ofron “politika mjerane e lojës me viktimat e kësaj flame mbarëbotërore”, por vetëm e vetëm besimi në punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e personelit të shëndetësisë sonë”, deklaron Kalo.

Më tej, mjeku i njohur thekson se “qenërinë tuaj për poste politike dhe push-shtet që keni treguar në këto 30 vite, mos e injektoni në popull për t’a ndërsyer atë ndaj nesh”.

“Nuk u nginjët ende ju “ish brekëgrisur” të para 1990-ës…..Vodhët e po vidhni gjithçka që natyra na ka dhuruar me bujari mbi dhe nën tokë. Privatizuat, përvetësuat e keqpërdorët gjithshka që ne me djersë, gjak e sakrifica ndërtuam në 45 vite. E detyruat gjysmën e popullatës së Shqipërisë së këndej Drinit të largohen në udhën e theqafjes së emigracionit. Në darkë përsëri ju politiqenër uleni rreth “tavolinës së shtruar me peshk e ngjala dhe verë franceze”, për të ndarë mes jush çdo gjë që mundet ende të përftohet nga pasuritë e vendit dhe nga taksat tona, pavarësisht nga retorika televizive e përplasjeve tuaja gjatë ditës si gjoja të qënurit tuaj parimor dhe përvuajtës për “grigjën tonë”….Kurrë të mos harroni se: 1- Bardhësia e misionit të një mantelbardhi nuk ka qenë e mundur dhe kurrë nuk do të mundet të baltoset prej asnjërit prej jush, si dhe se mirëbesimi dhe mirëkuptimi mes nesh, mes popullit dhe personelit shëndetësor do të mbetet thelbi i suksesit tonë edhe në përballjen me sfidën e “flamës mbarëbotërore” të këtij shekulli, pandemisë së infeksionit nga Sars-Cov2/Covid-19….Together forever”, deklaron mjeku Kalo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.