111-vjetori i Kongresit të Dibrës/ Ngjarje madhore që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/- Presidenti Ilir Meta mori sot pjesë në akademinë solemne të organizuar me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës, kësaj ngjarjeje madhore, që sipas tij, që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë.

Meta shprehet se “sfida më e madhe që kemi sot dhe gjithçka duhet të bëjmë, për të dëshmuar patriotizmin e vërtetë dhe respektimin e të parëve tanë, është të mbajmë të rinjtë në këto troje duke i edukuar me vlerat më të mira kombëtare.  T’ju rikthejmë shpresën dhe t’ju krijojmë të gjitha mundësitë për t’u punësuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e sigurt dhe europiane në vendlindjen e tyre. Do t’ia dalim me sukses sepse nuk kemi rrugë tjetër”.

Meta zhvilloi një vizitë edhe në Manastirin e Shën Gjon Pagëzorit, në Mbiguri së Dibrës së Madhe, që këtë vit kremton 1 mijë vjetorin e hapjes.

“Një vend i jashtëzakonshëm pelegrinazhi dhe qendër e rëndësishme e besimit ortodoks, që vizitohet çdo ditë nga qindra besimtarë.  Kënaqësi të bisedoja me Peshkopin Partenij, në veçanti për rolin që duhet të luajnë udhëheqësit fetarë për kultivimin e paqes, bashkëjetesës dhe bashkëpunimit midis qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare, sidomos në rajonin tonë, që aq shumë ka vuajtur nga nxitja e frymës së urrejtjes.  I lumtur që në këtë vizitë të shoqërohesha nga Myftiu i Dibrës së Madhe, Reshat Kaçallniku, për të dhënë të gjithë bashkë mesazhin e domosdoshmërisë së harmonisë ndërfetare në të mirë të popujve dhe progresit shoqëror”, tha Meta.

Në kuadër të kësaj vizite, Meta u ndal edhe te Xhamia e Sahatit në Dibër të Madhe, duke u shprehur se është unike për nga arkitektura, veçanërisht për 100 dritaret e saj, në shenjë simbolike të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai falënderoi klerikët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për punën e shkëlqyer që bëjnë për promovimin e vlerave më të mira hyjnore e kombëtare.

Por sot, Meta vizitoi edhe Kishën e Shën Lledrit në Spiten-Prull, “në këtë vend të shenjtë, që rrezaton prej 7 shekujsh besimin e palëkundur të popullit të mrekullueshëm të kësaj zone dhe jo vetëm, tek Zoti”.

Ai tha se “kjo Kishë e rikonstruktuar falë kontributeve bujare të banorëve, u bëri ballë gjithë sulmeve barbare, luftërave e diktaturave të egra, për të shndritur në këtë 30-vjetor të rikthimit të lirisë së fesë në vendin tonë, sepse populli i Spiten-Prullit nuk e humbi kurrë besimin në Zot dhe shpresën tek e ardhmja”.

“Në kushtet e një situate tejet të vështirë ekonomike e sociale, ku papunësia dhe varfëria janë evidente në shumë familje dhe kur gjendja është përkeqësuar për shkak të COVID-19, që po krijon drama të tmerrshme familjare e shoqërore, ju bashkova lutjeve për shëndet të plotë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për ata që po vuajnë nga pandemia , për këdo që ka humbur punën dhe është në pamundësi ekonomike, për të rinjtë e fëmijët tanë që të mos i braktisin familjet dhe Atdheun e tyre”, tha Meta.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.