Zgjedhjet në LSI/ Kryemadhi: Procesi transparent, pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një prononcim për mediet pas votimit në zyrat qendrore të LSI-së, tha se “ky proces transparent është një mesazh për gjithë politikën shqiptare”.

“Unë sot garoj për t’u rikonfirmuar mbas një periudhe të drejtimit të LSI-së në këto vitet e opozitës, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues dhe gjithë strukturave drejtuese që do të dalin nga ky proces, të cilët do të drejtojnë LSI në misionin e saj që është një mision jashtëzakonisht kombëtar”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi vlerësoi procesin e votimit online, i cili sipas saj, “ka qenë i jashtëzakonshëm dhe për pjesëmarrjen e shumë të rinjve dhe të rejave, që sot edhe janë në emigracion për shkak të situatës, por që do të kthehen”.

“Ekipi i LSI-së me studentët e IT-së, me studentët e Regjisë, me studentët e gjithë LRI-së i kanë dhënë sot një mesazh shumë të mirë politikës shqiptare. Na kanë dhënë të gjithëve një mesazh, sepse për ta realizuar zgjedhje të ndershme transparente, zgjedhje të lira, nuk do të thotë gjë tjetër veçse vullnet politik, do të thotë dëshirë, do të thotë të duash vendin tënd, do të thotë të duash dhe të respektosh njëri-tjetrin”, tha ajo.

Kryemadhi tha se “ne jemi forca e parë politike faktikisht që kemi krijuar votimin elektronik, jemi të parët që kemi sjellë ‘një anëtar një votë’ që në vitin 2004”. “Jemi të parët që kemi krijuar kuotat gjinore 50% me 50%. Jemi të parët që kemi përfshirë në statut 30 për qind të Lëvizjes Rinore për Integrim në strukturat drejtuese të LSI-së. Kështu që dhe ky votim online është një proces i domosdoshëm, është risi jo vetëm në jetën politike shqiptare, por edhe për funksionimin”, tha ajo.

Ajo theksoi se “në Konventën e 5 dhjetorit, delegatët që do të dalin sot, do të jenë ata që do të zgjedhin edhe strukturat drejtuese të LSI-së, pra ajo që ka ndodhur në të gjithë konventat e LSI-së, që janë bërë edhe në 2012, edhe në 2016, që janë konventa zgjedhore, të cilat zgjedhin struktura drejtuese”.

“Jam e bindur që në këtë kuadër, me stafin e jashtëzakonshëm të cilët kanë realizuar votimin online, do të bëjnë të mundur edhe realizimin e Konventës Kombëtare të LSI-së më 5 dhjetor që besoj dhe ajo do të ketë risi të mëdha jo vetëm për ju mediat, por për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha ajo.

E pyetur mbi daljen për herë të parë me maskë, Kryemadhi tha se “në fakt mesa duket partia ma mbledh, nuk ma mbledh dot njeri tjetër dhe unë prapë vazhdoj të mendoj se maska është një element që mbahet në ambiente të mbyllura, që njerëzit duhet ta mbajnë se besojnë dhe nuk duhet ta mbajnë se i kërcënojnë”.

Vasili: Qytetarët bëhen vendimmarrës dhe jo thjesht spektatorë

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi sot se zgjedhjet në LSI po dëshmohen si një proces që ndërton një mundësi përfaqësimi të jashtëzakonshme.

“Hapësirat shoqërore dhe politike në LSI vazhdojnë të jenë model për sa i takon hapjes së tyre, për sa i takon gjithëpërfshirjes së tyre dhe për sa i takon asaj që realisht qytetarët bëhen vendimmarrës dhe jo thjesht spektatorë apo asistues. Procese të tilla të hapura japin një frymëmarrje shumë të madhe pozitiviteti të gjithë shoqërisë”, tha ai.

Vasili tha se “kudo ku partitë bëhen përjashtuese, atëherë një shtresë e madhe humbet dhe një mendim pozitiv nga shoqëria humbet”.

I pyetur mbi numrin prej rreth 5500 anëtarë të LSI-së që kanë votuar deri në këto momente, Vasili tha se “inteligjenca e LSI-së, e aplikimit edhe të votimit online, bashkë me votimin fizik, bëri të mundur që të jetë një pjesëmarrje e jashtëzakonshme”.

Vasili theksoi se “rifreskimi nuk ka qenë një kërkesë artificiale, por ka ardhur natyrshëm.  “Dera është e hapur, askush nuk ua mbyll dot derën. Në LSI ata që tentojnë të mbyllin derën e dikujt nuk janë të mirëpritur. LSI-ja është partia që mban hapur dyert”, tha ai. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.