Zbulohen në Pompei dy trupa të paprekur

ROMË, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Arkeologët italianë bënë sot një zbulim të ri emocionues, trupat pothuajse të paprekur të dy burrave, një dyzetvjeçar i mbështjellë me një mantel leshi të ngrohtë dhe skllavi i tij i ri tashmë i përkulur nga lodhjet e jetës.

Duke i parë kështu, me gjakun që duket sikur u pulson ende në vena, me duart të mbështetura në gjoks, gishtat e palosur, tunikën e mbështjellë në bark, duket sikur koha nuk ka kaluar kurrë.

“Një zbulim me të vërtetë i jashtëzakonshëm”, theksoi Massimo Osanna, arkeolog, gjithashtu drejtor i përgjithshëm i muzeve publike që nga shtatori i vitit 2020.

“Për herë të parë, pas më shumë se 150 vjetësh nga përdorimi i parë i teknikës, ka qenë e mundur jo vetëm të krijojmë një kastë të përkryer të suksesshme të viktimave, por edhe të hetojmë dhe dokumentojmë me teknologji të reja gjërat që kishin me vete, kur u goditën dhe u vranë nga avujt e nxehtë të shpërthimit”, shtoi ai.

Arkeologu sqaroi se bëhet fjalë për një mister ende pjesërisht të zbuluar, sepse gërmimet në muajt e ardhshëm pritet të tregojnë, ndoshta, se për ku ishin drejtuar këta dy burra, si edhe për të sqaruar më shumë rolin e tyre në rezidencën e madhe dhe luksoze ku janë gjetur./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.