Shijak/ Kadastra, gati 320 certifikata të tokës bujqësore

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame dhe Kryetari i Bashkisë së Shijakut,  Elton Arbana, dorëzuan në mënyrë simbolike vetëm 2-3 prej certifikatave të pronësisë pas anulimit të aktivitetit për fillimin e rregjistrimit masiv të tokës bujqësore për shkak të masave të fundit  antiCovid.
Lame tha se “sot këtu në Shijak do të vijonim atë që po bëjmë javë pas jave dhe qytet pas qyteti, për regjistrimin dhe certifikimin e tokës bujqësore. Në respektim të masave kundër Covid ne anuluam prezencën e publikut në këtë aktivitet, por pa e anuluar vetë aktivitetin, duke e mbajtur sheshin me karriket bosh si një alarm për të gjithë që sa seriozisht duhet ta trajtojmë këtë pandemi”.
“Nga ana tjetër, këto karrike, që përndryshe do të ishin plot me qytetarë e fermerë që me gëzim sot do të merrnin certifikatën e tokës, dua të jetë edhe një simbol që tregon që megjithatë shteti funksionon, institucionet vijojnë punën e tyre”, – shtoi Lame.
Kryetari i bashkisë, Arbana, e vuri theksin në faktin e rezultateve që jep bashkëpunimi Agjenci-Bashki në këtë proces dhe ftoi qytetarët e interesuar të jenë aktivë në procesin e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm.
Në këtë aktivitet ishte parashikuar të jepeshin 320 certifikata të tokës bujqësore, të përgatitura nga drejtoria Rajonale Durrës, të cilat për shkak të anullimit të prezencës publike, po publikohen në faqen zyrtare të Kadastrës.
/k.s/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.