Rama: Askush nuk mund dhe nuk do ta pengojë prokurorinë të zbardhë një marrëzi kriminale

TIRANË, 21 nëntor /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij për qytetarët pas akuzave të opozitës deklaroi sot se prokurorinë nuk do ta pengojë askush të nis hetimet  në lidhje me akuzat për fshehjen e listës së të vdekurve nga COVID-19.

“Prokuroria e di vetë detyrën e saj nëse do ta shohë të arsyeshme që të përfshihet në këtë lemeri politike për të zbardhur një marrëzi kriminale të kësaj madhësie, askush nuk mund dhe nuk do ta pengojë. Por ky përshkallëzim ekstrem i luftës për pushtet duhet patjetër që mbahet shënim nga një gjykatë, nga gjykatësi suprem i Shqipërisë, populli shqiptarë si një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si vend, si popull si shqiptar”, theksoi Rama.

Ai tha se ky nuk është as karakteri i politikës në vetvete dhe as sesi karakteri i shumicës që qeveris në këtë vend.

Rama tha se Kanti thoshte: ‘Kush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë ose e ka bërë vetë ose do ta bënte po të ishte në vendin tënd’. “Dhe karakteret e dobëta që dallohen qartë ndër të tjera kur akuzojnë pa asnjë provë të tjerët, janë në gjendja ta bëjnë vetë pikërisht atë për të cilën i akuzojnë të tjerët. Pak rëndësi ka pastaj nëse bëhet fjalë për të manipuluar një formular votimi zgjedhjesh në parti, për të tretur një kasetë krimesh kundër njerëzimit apo për të falsifikuar një listë personash të vdekur në spital. Por për fat të mirë nuk ka asnjë mundësi teorike, jo më praktike që qeveria të fsheh numrin e viktimave në spital. Ashtu sikur nuk ka asnjë parti normale politike në planet, që të përcaktojë diagnozën e pacientëve që humbin jetën në spital dhe të ngrejë akuza që ngrejnë edhe të vdekurit nga varri”, tha ai.

Po ashtu, Rama shtoi se “diagnoza e pacientëve është përgjegjësi profesionale, por edhe ligjore e çdo mjeku në spitalet tona ashtu siç është dhe akuza për fshehjen e vdekjeve jo vetëm papërgjegjshmëri politike dhe qytetare, por dhe dobësi e frikshme të karakterit të kësaj opozite”.

“Nuk është hera e parë, por është thjesht kulmimi i një serie rastesh të përsëritura qysh në fillimin e kësaj luftë që kjo opozitë që harbutërinë verbale e ka po aq të madhe sa dobësinë karakteriale, ngre akuza të shoqëruara me thirrje për prokurorinë. Por që të thirret prokuroria edhe për të vdekurit në spital në kulmin e luftës me pandeminë duke krijuar një trysni kaq të tepërt për mjekët që sot kanë nevojë për solidaritet, mbështetje, inkurajim, mirënjohje, falënderim, kjo e tejkalon nivelin e neverisë për politikën e këtij lloj dhe hyn në sferën e përbuzjes për ç’njerëzoren. Nëse me kriminalizimin e çdo vendimi, pune, reforme apo edhe me vetë kriminalizimin e çdo kujt që kryen një detyrë të lartë publike në radhët e kësaj shumice qeverisëse, jemi detyruar të mësohemi me pahir, kriminalizimin e mjekëve tanë kur ata i duhen Shqipërisë dhe shqiptarëve, më të motivuar se kurrë është përtej çdo mundësie për ta konsideruar si rrjedhim normal të luftës për pushtet të kësaj opozite pa karakter”, tha ai.

“Prokuroria e di vetë detyrën e saj nëse do ta shohë të arsyeshme që të përfshihet në këtë lemeri politike për të zbardhur një marrëzi kriminale të kësaj madhësie, askush nuk mund dhe nuk do ta pengojë. Por ky përshkallëzim ekstrem i luftës për pushtet duhet patjetër që mbahet shënim nga një gjykatë, nga gjykatësi suprem i Shqipërisë, populli shqiptarë si një lëndim i patolerueshëm i karakterit tonë si vend, si popull si shqiptar”, theksoi Rama.

“Virusi nuk na ndan dhe ky episod i shëmtuar i luftës për pushtet nuk duhet harruar kurrsesi nga askush, nga asnjë shqiptar si një akt përçarjeje mes nesh shqiptarëve në luftën kundër këtij armiku të padukshëm, që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë që është hedhur hija e një dyshimi monstruoz që mund të nxisë ndaj tyre deri edhe larg qoftë dhunën e individëve të dëshpëruar nga humbja e të afërmve si një akt turpërues për karakterin tonë si vend, si popull dhe si qytetarë shqiptarë, dhe si thjeshtës, si qenie njerëzore”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.