PD: Fshehja e numrit të vdekjeve nga Covid, kriminale dhe duhet të hetohet

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Që nga dita e enjte, kur kryetari i Partisë Demokratike denoncoi në një emision televiziv shifrat e vërteta të vdekjeve nga COVID, Prokuroria nuk ka njoftuar asnjë veprim nga ana e saj.

Kështu tha sot ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia në një deklaratë për shtyp.

“Numri i vdekjeve nga COVID, sipas dokumentacionit që bëri publik Basha është shumë më i lartë se ai i bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme. Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet”, – theksoi Spahia.

PD i bën thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin.

“Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit”, – tha Spahia.

Ai u shpreh se “Partia Demokratike çmon lart punën dhe sakrificat që po bëjnë mjekët dhe infermierët gjatë kësaj pandemie të tmerrshme, dhe dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin e tij”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.