Mesazhe urime dhe mirënjohje për mision e saj fisnik në shpëtim të jetës për profesoreshë Najada Çomon në ditën e lindjes

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Personalitete të artit, kulturës dhe politikës i kanë uruar sot ditëlindjen profesoreshë Najada Çomo, e cila tashmë prej muajsh punon në frontin e parë të përballjes me pandeminë.

Në video-mesazhet e urimit për ditën e lindjes nuk kanë munguar mirënjohjet për punën e saj heroike në shpëtim të jetës dhe për shërbimin e saj të përkushtuar ndaj pacientëve me COVID-19.

“E dashur doktoreshë Najada keni qëndruar në krye të misionit në emër të mbrojtjes së jetës së të gjithëve ne. Uroj që brezat që vijnë të mësojnë sado pak nga përkushtimi, vetëmohimi, sakrifica, dashuria, e cila sot më shumë se kurrë na siguroj jetën. Të uroj një jetë të gjatë, të bukur, të lumtur me shumë dashuri rrethuar. Mirënjohje dhe respekt”, shprehet në mesazhin e saj të urimit mexosoprano Vikena Kamenica.

Sopranoja Eva Golemi shprehet, “d dashur doktoreshë Najada duke të falenderuar dhe mbushur plot mirënjohje punën plot sakrifica, përkushtimin dhe humanizimin tuaj në shërbim të njeriut sidomos në këto kohë të vështira të uroj nga zemra edhe 100 vite të lumtura”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në mesazhin e saj të urimit ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e saj ditë natë ndaj pacientëve me COVID-19 duke qëndruar larg familjes.

“Shpesh fjalët tingëllojnë të varfra për të shprehur të gjithë mirënjohjen për një luftëtare si ju, për të gjithë sakrificat e bëra për ato ditë netë të gjata pa gjumë pranë njerëzve larg familjes. Faleminderit nga zemra nga të gjithë ne dhe jetë të gjatë profesoreshë Najada”, shprehet Margariti.

Dorina Kuka ish-studente e doktoreshë Najada Çomo ka shprehur mirënjohjen e saj për profesoreshën e cila kontribuoj me profesionalizëm dhe humanizëm në rrugëtimin e saj jetësor.

“E dashur Najada ke qenë dhe mbetesh e adhuruar në aspektin profesional dhe njerëzor  në rrugëtimin tim jetësor. Je ti e veçuara në radhët e docentëve për inspirimin dhe   motivimin e qindra studentëve, një prej tyre isha dhe unë. Uroj që përmes këtij video-mesazhi të të kthejmë sado pak këtë dashamirësi dhe respekt që ti ke investuar dhe vazhdon të investosh edhe në periudhë pandemie tek njerëzit. Edhe pse nuk arrijmë dot masën tënde jam shumë krenare për ty”, shprehet Kuka.

“Kemi shumë vite që njihemi dhe ti nuk ke ndryshuar aspak vazhdon të jesh për mua njeriu i palodhur, i përkushtuar në luftë me vdekjen. Sot çuditërisht fjalët nuk më mjaftokan për t’ju dhënë faleminderit , por dua t’ju them që për ne jeni engjëj e keni të gjithë mirënjohjen tonë”, u shpreh në mesazhin e saj gazetarja, Iris Luarasi.

Deputetja Lindita Nikolla në mesazhin e saj të urimit thekson se në asnjë moment profesoreshë Najada nuk e ndali misionin e saj human në shërbim të pacientëve.

“Luftuat dhe fituan shumë jetë, u trishtuat padyshim edhe për çdo humbje por nuk u zbrapsët asnjë grimë në misionin tuaj. Në ato pak çaste qetësie na drejtoheshit ne, fëmijëve e familjeve tona me mesazhe kujdesi edhe kur kjo luftë të mbaroj ne nuk mund dhe as nuk na lejohet të harrojmë jo vetëm duartrokitjet plot emocione në ballkone por mbi të gjitha mbështetjen e vazhdueshme dhe të merituar për ju. Mirënjohje”, tha Nikolla.

“Në emër të të gjithë kryetarëve të bashkisë, veçanërisht zonjave unë dua të falenderoj për të gjithë përkushtimin për të gjithë qetësinë dhe marturinë, për profesionalizmin për kurajon që arrite të tregoje dhe për forcën që ne arritëm të gjenim në ty për të vazhduar punën në të gjitha shërbimet e nevojshme për qytetarët. E dashur Najad falimderit që na bërë të kuptojmë se jeta vazhdon se jeta është e bukur dhe ne edhe fal kontributit tënd do ta jetojmë atë”, tha kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi në mesazhin e saj të urimit.

“E dashur Naja, më ke munguar dhe me mëndje gjithë kohës tek ty kam qenë. Në gjithë këtë histori të çuditshme dhe të vështirë ty të ra pjesa më e vështirë që të ishe në atë front. Besoj se të gjithë ata njerëz qetë kanë pasur afër në këtë periudhë kanë qenë me fat që ke qenë ti ajo që i ke shërbyer. Nuk habitem aspak që ti ke punuar kaq fort sepse të njoh prej shumë vitesh, njoh zemrën tënde të madhe, njoh gjithë dëshirën që ke pasur dhe vazhdon të kesh për ti shërbyer njerëzve”, tha Vera Ostreni, mikesha e profesoreshë Najadës.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.