LSI mban zgjedhjet e brendshme/ Caka: Votimi online dhe në 51 qendra në vend

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur sot procesin zgjedhor për strukurat e reja drejtuese të saj dhe rikonfirmimin e kryetares Monika Kryemadhi.

Votimi, ku pjesa më e madhe e anëtarësisë do votojë online, ka filluar prej orës 9:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në 16:00.

Kryetarja e KQZ-së në LSI, Silva Caka, bëri me dije shifrat  e pjesëmarrjes në zgjedhje, për çdo qark të vendit.

Deri në orën 11:00, sipas saj, në 51 qendrat e votimit të zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë marrë pjesë 5435 anëtarë të kësaj force politike.

“Është një ditë shumë e rëndësishme për Lëvizjen Socialiste për Integrim për shkak se zgjedhim pikërisht atë që është ekipi fitues për zgjedhjet e 25 prillit”, u shpreh kryetarja e KQZ-së së kësaj partie, Silva Caka.

Në deklaratën për media një orë pas nisjes së votimeve në 51 qendra, Caka tha se deri më tani s’janë vërejtur mangësi në materialet zgjedhore dhe kanë nisur votimet si fizikisht ashtu edhe përmes aplikacionit online.

“Ne jemi përpjekur maksimalisht që të garantojmë jo vetëm nga ana procedurale këtë proces, por edhe duke respektuar protokollin dhe masat e sigurisë antiCovid. Në çdo qendër votimi është ruajtur distanca fizike, janë vendosur ato që quhen baza higjienike, pra maska, dezinfektantë për duart, dezinfektantë për pajisjet e qendrës së votimit”, u shpreh Caka.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.