“Kontribuoni që të shmangim një mbyllje tjetër”/ Rama apel qytetarëve: Respektoni masat për përballimin e situatës

TIRANË, 21 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Kontribuoni që të shmangim një mbyllje tjetër me çdo mënyrë dhe as mos dyshoni në vërtetësinë e fakteve zyrtare”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa i bëri apel qytetarëve të respektojnë masat për përballimin e situatës.

Rama tha se virusi nuk na ndan as në parti as në krahina as në shtresa dhe as në familje dhe ky episod i shëmtuar i luftës për pushtet nuk duhet harruar kurrsesi nga askush, asnjë shqiptar që mendon me kokën e tij si një akt përçarje mes nesh, shqiptarëve luftën kundër këtij armiku të padukshëm.

“Si një akt që nxit urrejtjen ndaj mjekëve tanë mbi të cilët është hedhur hija e një dyshimi   mostruoz, e cila mund të nxis ndaj tyre deri larg qoftë edhe dhunën e individëve të dëshpëruarve nga humbja e të afërmve si një akt turpërues për karakterin tonë si vend si popull si qytetarë shqiptar dhe si thjeshtë qenie njerëzore”, tha Rama.

Në fund, Rama tha se ne do ta fitojmë këtë luftë sidoqoftë me mundë të vazhdueshëm, pa u lodhur me besim të palëkundur dhe me durimin më të madh. Ju lutem të gjithëve zbatoni rregullat. Kufizoni çdo lëvizje që është e mundur të kufizohet.

“Kontribuoni që të shmangim një mbyllje tjetër me çdo një mënyrë dhe as mos dyshoni në vërtetësinë e fakteve zyrtare për të cilat qeveria dhe autoritete shëndetësore mbajnë përgjegjësi të lartë para jush në radhë të parë, as mos bini pre e frikës që duan tu kallin në shpirt ata që fatkeqësisht ju duan mish për topin e luftës së tyre të verbër për pushtet dhe për plaçkë. Do ta kalojmë këtë dimër të vështirë dhe bashkë me dimrin do ta kalojë edhe Shqipëria pjesën më të madhe të kësaj të keqe që na zuri, por që do ta heqim deri në fund me forcën e karakterit tonë”, përfundoi Rama. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.