Kombëtarja e femrave/ Grima publikon listën për ndeshjet me Qipron dhe Portugalinë

TIRANË, 21 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Trajneri i kombëtares së femrave, Armir Grima, ka  publikuar listën e futbollisteve të grumbulluara për dy ndeshjet e fundit eliminatore të EURO 2021 ndaj Qipros në Shkodër më datë 27 nëntor dhe Portugalisë në transfertë më 1 dhjetor.

Për këto dy ndeshje të vlefshme për Grupit E, trajneri Grima ka grumbulluar 21 lojtare të cilat nga dita e hënë do të grumbullohen dhe stërviten në Shkodër. Ndeshja me Qipron do të zhvillohet ditën e premte në orën 14:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në fjalën e tij para mediave Grima theksoi se ndeshja me Qipron është një ‘detyrim’ për vajzat e tij.

Ne patjetër që ndeshjen me Qipron pretendojmë që ta fitojmë. Mendojmë që i kemi mundësitë dhe kapacitetet për ta kalojmë këtë ndeshje në favorin tonë. Dhe normalisht edhe ndeshja me Portugalinë është ndeshje që ne na lë hapësira për të menduar që të shkojmë për një rezultat pozitiv”, shprehet Grima, që më pas ndalet te gjendja e skuadrës.

“Ne ditën e hënë i grumbullojmë vajzat dhe aty do të shohim edhe gjendjen fizike të çdo lojtareje. Kemi probleme, nuk është vetëm problem që kemi pas me Arbionën por kemi edhe disa probleme me vajza të tjera. Gjithsesi do i shohim nga afër gjërat dhe gjendjen fizike të vajzave. Covid 19? Është e vërtetë që jemi në një kohë, po them të çuditshme me këte pandemic. Edhe ne normalisht kemi marrë masat tona, kjo është lista paraprake. Përveç kësaj kemi edhe listën rezervë që për çdo gjë të papritur të jemi të gatshëm për të njoftuar vajzat e tjera për t’i pasur pranë ekipit”.

Trajneri ndalet edhe te rrugëtimi në këto eliminatore. “Unë mendoj që kemi bërë një paraqitje të mirë. Nuk mund të them shumë të mirë, por të mirë, të kënaqshme. Kemi paraqitur futboll stabil, nuk jemi më ai ekipi që kemi luhatje nga më të ndryshmet. Jemi një ekip stabil, japim lojëra të mira, jemi munduar të marrim rezultate të mira dhe besoj që edhe për tifozët ka qenë një ekip simpatik dhe i bukur për t’u parë në fushë. Çdo fitore në këto momente për futbollin e femrave është shumë, sepse nuk është vetëm pjesa që ne duhet të kualifikohemi. Ne duhet t’i ngjisim shkallët avash-avash për të shkuar tek ai pretendim. Por në këto momente që është futbolli i femrave në Shqipëri, besoj që çdo fitore është shumë, për çdo vajzë që luan futboll. Moralisht është shumë e mirë, por normalisht edhe pikët janë shumë të mira sepse na ngjisin që vitin tjetër të kemi edhe një vend më shumë në kualifikim”.

Në fund edhe një pyetje për repartin e mbrojtjes. “Në mbrojtje jemi të kushtëzuar edhe nga vajzat që luajnë në këtë repart. Gjithsesi besoj që jemi të stabilizuar, nuk jemi më si në fillimet tona që kemi pasur probleme shumë në pësimin e golave. Besoj që jemi stabilizuar dhe kemi një repart të mirë, ku dihet që me ekipet kundërshtare që kemi në shumë të forta, dihet që pesha kryesore shkon te mbrojtja. Dhe nuk është se ne gabojmë veç te mbrojtja, te reparti i mbrojtjes por gabimet shkojnë bashkarisht me mesfushën dhe i gjithë ekipi kur gabojmë”.

Lista e futbollisteve:
j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.