Fier/ Nisin punimet e fazës së dytë të rehabilitimit të lumit Gjanica

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Rehabilitimi i segmentit të dytë të lumit Gjanica do të plotësojë më tej mozaikun e transformimit urbanistik që po ndodh në qytetin e Fierit.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi solli sot pamje nga punimet në segmentin e dytë të rehabilitimit të lumit.

“Me lajmin e mirë të fillimit të punimeve të fazës së dytë të projektit të rehabilitimit të lumit Gjanica, segmenti nga ura me shkallë deri te Ura e Sheqit, dhe me imazhin post-transformues të tij, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Subashi.

Projekti është në vijimësi të projektit për rikonceptimin e qendrës së qytetit dhe të ndërtimit të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë, ku përfshihet rehabilitimi i lumit Gjanica.

Ky projekt synon të rikthejë lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit, ndërsa rikoncepton një shesh qendror, i cili mungonte për qytetin.

Ndërkohë, ka përfunduar parkimi nëntokësor me 100 vende dhe shtrimi me pllaka guri i sheshit qendror prej 21 671 m2 i cili i ka munguar qytetit. /m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.