COVID-19/ Rama: Krenar si kemi reaguar për këtë sprovë

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- “Si mund të flihet më gjumë pas arrin të nxjerrësh nga goja një të tillë makabritet duke trajtuar një popull të tërë si një fuqi të verbër e cila duhet nxitur deri në fund drejt hakmarrjes ndaj atyre që sipas kësaj pandehme çnjerëzore, përdorkan pushtetin për të manipuluar numrin e të vdekurve”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në reagim edhe ndaj akuzave të opozitës për fshehjen e numrit të personave që kanë humbur jetën ndaj koronavirusit dhe sulmit ndaj bluzave të bardha.

Kryeministri theksoi se “tërmeti godet fort në një kohë tejet të shkurtër dhe lë pas pasojat në një kohë të gjatë sprove të rimëkëmbjes”.

Ndërsa virusi, tha ai, “godet nga pak, por në një kohë të tejzgjatur dhe pasojat sprovojnë përditë e përditë rezistencën tonë si individë, si qytetarë dhe si bashkësi”. Por në të dyja rastet, Rama tha se del në pah karakteri ynë jo vetëm si popull e si familjarë, por dhe si zëdhënës publik në medie e politikë dhe patjetër edhe si udhëheqës po ashtu.

“Unë jam sinqerisht krenar për se si ne si popull kemi reaguar në të dyja rastet dhe për se si njerëzit në shumicën e tyre dërrmuese janë bashkuar, qoftë duke ndihmuar fatkeqët e 26 nëntorit të shkuar, qoftë duke bërë pjesën e tyre të sakrificës në këta muaj kaq të gjatë përballje me virusin që po sprovon mbarë botën. Ashtu sikundër jam shumë krenar, si Kryeministër, për se si forcat e këtij shteti janë vënë në dispozicion të njerëzve në nevojë që nga mijëra djem e vajza, gra e burra të Forcave të Armatosura, të atyre të Policisë, të Urgjencës Kombëtare dhe të strukturave Civile pas goditjes nga tërmeti, deri tek forcat e sistemit tonë shëndetësor. Që nga bluzat e bardha në vijën e zjarrit, tek çdo ekspert e strukturë e deri tek çdo mjek familjeje pa harruar edhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë dhe Ministren tonë të Shëndetësisë, gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë nën goditjen e armikut të padukshëm”, tha Rama.

“Po pse çfarë janë ata që humbasin jetën në spitalet COVID?Vota që humbasin gjatë numërimit kur humbasin zgjedhjet në Partinë Demokratike? Apo kuti këpucësh me lekë të zeza që nisen nga Gjiri i Lalzit drejt burimeve mediatike? Pse kush janë mjekët e vijës së zjarrit në këtë luftë për jetë a vdekje, anëtarët e Komitetit Nishani që u mblodhën për të zhdukur nga lista e deputetëve djalin e Fahriut? Apo këshilltarët e presidencës që shpërndajnë si zogjtë e korbit nëpër botë lajme të rreme për Shqipërinë?”, u shpreh Kreu i Ekzekutivit.

Më tej, Rama u shpreh se “mos vallë profesorët me bluza të bardha të cilët prej vitesh e vitesh firmosin çdo kartelë mjekësore të pacientëve që fatkeqësisht humbin jetën në spital janë njësoj si akuzuesi i tyre që mohon edhe firmën e vet pasi financon fushatën e partisë me para që nuk dihet nga vijnë? Apo mos vallë të vdekurit në spital mund të treten në ajër si ata të shkretët në videon e humbur të Masakrës së Krushës për të cilën i akuzuari nga dëshmitarët di vetëm të shajë dhe të akuzojë vetë dëshmitarët? Apo ndoshta viktimat e COVID-it mund të fshihen siç u fshinë serverat e videove të kryeministrisë të nesërmen e 21 janarit?”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.