Balla në Elbasan: Paketat ndihmëse dhe lehtësitë fiskale, mbështetje për biznesin e vogël

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut Elbasan, vizitoi sot disa biznese të vogla në këtë qytet, të cilët i informoi mbi nismat fiskale në mbështetje të kësaj kategorie biznesi.
Bashkë me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe Prefektin, Klevis Xhoxhi, Balla zhvilloi takime me bizneset e vogla të rrugëve tregtare të Elbasanit.
Biseda u fokusua mbi situatën e përballjes me pandeminë dhe masat e Qeverisë, që krahas paketave ndihmëse, që miratoi për biznesin gjatë pandemisë, tashmë kemi miratuar edhe lehtësi fiskale për sipërmarrjen.
“Nisma fiskale që hyn në fuqi më 1 Janar 2021 për zerimin e tatim fitimit për bizneset deri në 14 milionë lekë, dhe e TVSH për çdo biznes deri në 10 milionë lekë, është një çlirim për sipërmarrjen. Biznesi i vogël në vend është çliruar plotësisht nga tatim-fitimi dhe TVSH-ja, duke i dhënë një frymëmarrje të re aktivitetit të tyre të përditshëm”, tha Balla.
Ai theksoi se “edhe pse ishte një vit mjaft i vështirë, jo vetëm për biznesin dhe të punësuarit, për gjithë Shqipërinë, kemi arritur përmes masave lehtësuese të zbusim efektet e kësaj krize, që ka mbërthyer gjithë globin”./m.m/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.