Drejtoresha e ISHP-së Fico: Deklaratat e Bashës marrëzi, përçmojnë punën e mjekëve

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, i konsideroi sot akuzat e fundit të kreut demokrat Lulzim Basha si marrëzi dhe në dëm të punës së bluzave të bardha.

“Të qenit mjek është një përgjegjësi ekstreme, sidomos në situata të tilla ku ka humbje jete. Të gjitha ne mjekët që në ditën e parë të punës tonë jemi të trajnuar që të gjitha humbjet e jetës të dokumentohen administrativisht dhe me përgjegjësi maksimale, diagnoza ose shkaku i vdekjes mund të verifikohen nga autopsia. Nuk ka mjek në botë i cili të mendojë ndryshe dhe të shkruajë ndryshe”, – tha Fico në një intervistë televizive.

Por, vijoi ajo, mbi të gjitha vitet e punës së një mjeku mund të hidhen kaq kollaj poshtë. Për çfarë? Për shifra që nuk i shërbejnë askujt. Unë besoj që përveç se një marrëzie, nuk është asnjë gjë më shumë.

“Do desha ta besoja që është një marrëzi, se çdo gjë tjetër e thënë, për llogari të punës së ndershme, sakrificës madhore të bluzave të bardha do ishte e paimagjinueshme”, – tha Fico.

Fico u shpreh se “kushdo që bën akuza të tilla dhe që përçmon punën e mjekëve duhet të mbajë duart larg”.

“Mjekët nuk kanë asnjë arsye në botë të zhbëjnë jetën e tyre, karrierën dhe anën profesionale, se dikush thotë kështu. Kjo është fyese dhe unë mendoj se të gjitha ata që angazhohen në këto lloj situatash të cilat përçmojnë punën tonë, të mbajnë duart larg, boll me mjekët, ju lutem, boll me mjekët”, tha Fico./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.