Dita Botërore e Fëmijëve/ Ndërgjegjësim për të krijuar mundësi për të gjithë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u është drejtuar me  një mesazh përshëndetës fëmijëve shqiptarë me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.

Ruçi shpreh dashurinë, vëmendjen dhe impenjimin për 500 mijë fëmijët e Shqipërisë dhe prindët e familjet e tyre, ndërsa këtë vit, fëmijët shqiptarë, ashtu si edhe 2.3 miliardë vërsnikët e tyre në të gjithë botën, e kremtojnë Ditën Botërore të Fëmijëve në kushtet  e privacioneve, sakrificave dhe ankthit që ka shkaktuar pandemia e Covid-19.

“Urojmë e shpresojmë që bota të çlirohet sa më shpejt nga ky rrezik planetar, popujt t’i kthehen jetës normale dhe fëmijët librave, lojërave e argëtimeve, prej të cilave janë privuar prej rreth  një viti. Sot është një ditë reflektimi dhe angazhimi për të investuar më shumë për fëmijët sepse kështu investojmë për të ardhmen. Sot është dita të nxisim e promovojmë të qenit bashkarisht për të mirën e fëmijëve tanë. Është dita e ndërgjegjësimit për të krijuar mundësitë që të gjithë fëmijët të gëzojnë të drejtat e tyre që u takojnë nga Konventa e të Drejtave të Fëmijës, adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara 31 vjet më parë, më 20 nëntor 1989, dhe ligjet e shtetit shqiptar. Është dita të mendojmë për përmiërsimin e ligjeve, politikave dhe institucioneve tona, për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve. Të gjithëve na dhemb kur shohim fëmijët që detyrohen të punojnë për të jetuar, që përjetojnë apo vuajnë pasojat e abuzimit dhe të dhunës në familje apo jashtë saj. Prandaj sot është dita që të gjithë të ngremë zërin, të hartojmë ligje dhe të marrim vendime për të ndaluar abuzimin, dhunën dhe format e këqia të punës së fëmijëve”, shprehet ai.

Po ashtu, Ruçi shton se “të gjithëve na dhemb kur shohim fëmijë që braktisin shkollën. Asnjë arsye nuk e përligj këtë braktisje. Prandaj sot është dita që të gjithë, ligjvënësit, qeveria, shkollat dhe familjet, të marrim masat që të kthejmë në shkollë rreth 1500  fëmijët që braktisin çdo vit arsimin e detyrueshëm, dukuri që pandemia po e përkeqëson”, u shpreh ai.

“Detyrën si Kryetar i Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” e konsideroj si një ndër përgjegjësitë e mia më të larta dhe më fisnike në shërbim të vendit dhe të fëmijëve shqiptarë. Gjatë viteve të fundit, ky Grup ka inicuar nisma të rëndësishme për hartimin e akteve ligjore e nënligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e jetës së fëmijëve shqiptarë, sidomos për mbrojtjen e shëndetit të tyre fizik, mendor e social nga pandemia Covid-19”, shkruan në mesazhin e tij përshëndetës Ruçi.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka zgjedhur ta urojë këtë ditë nëpërmjet një fotoje të realizuar me Denisën e vogël nga Xibraka e Elbasanit në javën e parë të këtij viti shkollor.

“Sado të përpiqemi të bëjmë për fëmijët është gjithmonë pak, sepse ata meritojnë gjithnjë e më shumë!”,- është mesazhi i Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.

Dita Botërore e Fëmijëve është përcaktuar si e tillë nga OKB me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në botë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.