COVID-19/ Braçe apelon qytetarët: Besojini mjekut të familjes, jo tellallëve të së keqes

TIRANË, 20 nëntor /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe apeloi sot qytetarët të komunikojnë me mjekun e familjes dhe jo, sipas tij, “me tellallët e së keqes, Bashën, Metën dhe Monikën”.

Në reagimin e tij, Braçe shprehet se në këto ditë të rritjes së numrit të infektuarve duhet pasur besim te mjeku i familjes.

“Kur numri i të infektuarve me COVID po shtohet me 600-700 në vetëm një ditë, bëj kujdes. Zgjidh mjekun, farmacistin, epidemiologun tënd. Nuk është Lulzim Basha mjeku yt, nuk është Ilir Meta farmacisti yt, nuk është Monika Kryemadhi epidemiologia që duhet të dëgjosh”, shprehet ai.

Braçe këshilloi qytetarët ta nisin ditën pa ta.

“Mbaj maskën, vendos distancën, laj duart, kufizo herët e kohën e ndenjes në kafe, klub, gjellëtore. Rri me familjen tënde. Vijoje ditën pa ta. Zgjidh mjekun tënd të familjes, vetëm atë. As doktorin e shokut, as doktorin e Google, larg qoftë doktorët e Lulit që kanë 10-12 vite pa vizituar një të sëmurë. Zonja në foto është doktoreshë, Bruna Shiroka, drejton mjekët e familjes në një pjesë të mirë të Tiranës, si ajo janë plot mjekë të tjerë të heshtur në Tiranë e çdo qytet, por në shërbim prej 9 muajsh”, u shpreh Braçe.

“Kanë shpëtuar, kuruar e shëruar mijëra njerëz. Besojuni këtyre mjekëve. Merr mjekim vetëm prej tyre dhe falas. Tellallët e së keqes nuk janë mjeket e tu, thjesht ju rrahin me terapinë e së keqes, frikës e vdekjes, çdo ditë. Vijoje ditën pa ta. Zgjidh farmacistin tënd, as atë të recetës hit në WhatsApp, as atë të Google, larg qofte atë të Ilir Metës që është gati të të shesë si gjithë këta muaj edhe oris si suplement bashkë me dietën ushqimore për t’u shëruar nga COVID”, shprehet ai.

Po ashtu, Braçe shton se qeveria vendosi të kompensojë plotësisht kurimin në shtëpi.

“Por atë që vendos për ty mjeku yt i familjes, ai e ata që kanë shëruar deri tani 95% të të sëmurëve. Me shume se sa para, qeveria me mjekun e familjes, recetën e tij po vendos rregull e kontroll mi kurimin tënd, edhe shpenzimet e tua. Deri tani, një pjesë e jona-qytetarëve, kemi qenë në dorë të shokut, Whatsapp të tij, Google dhe tmerrit të Lulit, Ilirit, Monikës dhe “doktorëve” e “tregtarëve të ilaçeve e suplementeve” të tyre. Mos më”, shprehet Braçe në reagimin e tij. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.