Vokshi: Shkolla e rrënuar në Rrogozhinë, pasqyrë e dështimit të Ramës me arsimin

TIRANË, 19 nëntor/ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka deklaruar sot nga Rrogozhina se shkolla 9-vjeçare “Rreth Greth” në Kryevidh është e rrënuar.

Sipas Vokshit, rrënimi i shkollës 9-vjeçare “Rreth Greth” është pasqyrë e dështimit të Ramës me arsimin.

“Në fakt shkolla si kjo janë fytyra e vërtetë e arsimit të Edi Ramës. Nuk është e vetmja shkollë. Janë edhe dhjetëra shkolla të tjera që gjenden në të njëjtat kushte, në të njëjtën situatë të mjeruar mesjetare. Ndaj dhe prindërit, një pjesë e mirë e tyre detyrohen që t’i heqin fëmijët nga shkollat si kjo dhe t’i dërgojnë me kilometra larg për t’iu siguruar kushte pak më të mira fëmijëve të tyre, deri edhe 15 kilometra larg nga këtu. Është shkolla e parë shqipe në zonë dhe mendoni si e kanë lënë. Ndaj edhe Edi Rama nuk donte që ne të hynim brenda dhe ta shihnim”, shprehet Vokshi.

Vokshi shton se, “i kërkuam leje edhe drejtorit të shkollës për të parë të gjithë situatën reale. Gjithsesi ne kemi siguruar foto të ambienteve të brendshme. Kjo shkollë është simboli i dështimit të Edi Ramës në arsimin publik. Janë 80-90% e shkollave në gjithë Shqipërinë që nuk kanë kushtet higjieno-sanitare për të respektuar protokollin e sigurisë në kushte pandemie. Nuk kanë as ujë të rrjedhshëm”.

“Ne do ndërtojmë, do rindërtojmë të gjitha shkollat në çdo cep të Shqipërisë, do sigurojmë që ato të kenë kushte moderne, infrastrukturë me standarde europiane apo më të mirat ndërkombëtare, do të sigurojmë që çdo fëmijë në çdo cep të Shqipërisë të ketë mundësi të barabarta për arsimim cilësor”, tha Vokshi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.