Vendimi/ Kriteret për privatizimin e banesave të ndërtuara me fonde publike deri në fund të 2007-s

TIRANË, 19 nëntor/ ATSH/ Qeveria miratoi vendimin për përcaktimin e kritereve për privatizimin e banesave të ndërtuara me fonde publike nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB, deri në fund të vitit 2007, si dhe ato që figurojnë ende në pronësi të shtetit, ku, me autorizime të dhëna nga organet kompetente, janë sistemuar me strehim banorët përpara vitit 2004.

Qëllimi i këtij vendimi është finalizimi i procedurave të privatizimit të objekteve të paprivatizuara për banesat e ndërtuara me fonde publike nga Enti Kombëtar i Banesave, pavarësisht nëse kanë kaluar ose jo në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore ku ato ndodhen, të cilat, deri në fund të vitit 2007, kanë rezultuar me kontrata të palidhura, si dhe banesat e ndërtuara me fonde publike nga EKB-ja, që rezultojnë me kontrata të zgjidhura e të liruara me vendim gjykate.

Në vendim përfshihen edhe nanesat dhe objektet e kthyera në fond banese, që, me vendime të Këshillit të Ministrave, i kanë kaluar në administrim EKB-së, me qëllim privatizimin e tyre.

Po ashtu, banesat ose objektet e kthyera në fond banese me vendime të organeve të vetëqeverisjes vendore, ato që kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe ato që figurojnë ende në pronësi të shtetit, ku, me autorizime të dhëna nga organet kompetente, janë sistemuar me strehim banorët përpara vitit 2004, si dhe objektet që kanë mbetur të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura, përveç rasteve kur me ligj të veçantë janë përcaktuar procedura të tjera për privatizimin e tyre.

Të drejtën për privatizim e kanë të gjithë anëtarët e familjes që rezultojnë në certifikatën e gjendjes familjare aktuale në momentin që fillon procesi i privatizimit.

Privatizimi i banesave ose i objekteve të kthyera në fond banese, sipas këtij vendimi, bëhet bazuar në normat e strehimit në fuqi në momentin e privatizimit.

Për efekt të llogaritjes së vlerës së privatizimit e të evidentimit të sipërfaqes së mundshme të tepërt të banimit, referimi do të bëhet në certifikatën e gjendjes familjare në momentin e miratimit të së drejtës së përfitimit të strehimit. Çdo sipërfaqe e përfituar mbi atë të normave të strehimit llogaritet me çmimin e tregut, me përjashtim të rastit të ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve të Forcave të Armatosura, për të cilët sipërfaqja e banimit mbi normat e strehimit trajtohet njëlloj si sipërfaqja brenda normave të strehimit.

Rastet e privatizimit të banesave ose të objekteve të kthyera në fond banese në favor të familjeve/individëve që përfitojnë nga ky vendim do të konsiderohen në kuadrin e programit të banesave me kosto të ulët e familjet/individët që përfitojnë nga këto privatizime do të gëzojnë të gjitha lehtësitë që parashikon ligji sipas kategorive të përfituesve.

Procedura e privatizimit të banesave dhe të objekteve të kthyera në fond banese, sipas këtij vendimi, fillon vetëm pasi të jetë lëshuar certifikata e pronësisë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përkatësisht, në emër të EKB-së ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Për objekte që privatizohen sipas këtij vendimi, por që janë në pronësi të një organi shtetëror në momentin e hyrjes në fuqi të tij, njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkojnë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi to, me qëllim privatizimin.

Për objektet ndërtimore që janë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes e që janë dhënë me autorizim për marrjen në posedim për qëllime strehimi për ish-ushtarakët dhe ushtarakët e Forcave të Armatosura, procedura e privatizimit do të kryhet sipas këtij vendimi nga EKB-ja. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.