“Shoferi që kërkon të bëhet deputet”/ Brataj për akuzat e Erion Dashos: Merru me politikë, por jo me Urgjencën Kombëtare

TIRANË, 19 nëntor /ATSH – I. Vata/ Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj ka reaguar pas akuzave të vazhdueshme nga mjeku Erion Dasho ndaj Urgjencës Kombëtare dhe menaxhimit të situatës së pandemisë në vend.

Brataj shprehet se sot shofer Erion Dasho ka bërë një analizë si ato që di të bëjë ai dhe si gjithmonë pa etikë dhe deontologji më thotë: Këpucar, merru me këpucët.

“Shofer Erionin e kam njohur në vitin 2015 kur erdha në Shqipëri. Ishte drejtor i Telemjekësisë shqiptare, por mos u çudisni nëse ai nuk e di çfarë është telemjekësia. Pasi të sqaroj qytetarët po i bëj një përshkrim të shkurtër karrierës së shofer Erionit deri tani! Nga këtu e tutje ai po konsulton me disa parti politike dhe ndoshta pretendon ndonjë zgjedhje si deputet, normal nuk është hera e parë që ndodh! Që të ndodh një gjë e tillë duhet të godasësh gjërat dhe shërbimet që funksionojnë dhe sidomos drejtuesit e tyre! Sot ka gjetur fajtorin, Urgjencën Mjekësore, Urgjencën Kombëtare”, shprehet ai.

Brataj shton se, “qytetari ka katër mënyra për të hyrë në sistem, mjekun e familjes, qendrën shëndetësore, urgjencën spitalore dhe urgjencën paraspitalore ose 127. I vetmi shërbim 24 orë janë urgjencat e spitaleve, Q.SH me urgjencë pritëse dhe 127. Mjeku i familjes nuk e mbulon dot shërbimin natën, ditët e festave dhe ditët e pushimit. Urgjenca nëpërmjet numrit unik 127 është i vetmi që mund të kapet në kohë reale dhe qytetari të ketë një përgjigje, një informacion dhe një këshillim mjekësor. Pra si do të lidhet qytetari me sistemin, shofer Erioni, kur nuk ka asnjë system të integruar dhe të kompletuar në Shqipëri? Në të gjithë botën të gjitha sistemet e urgjencës në bazë të të dhënave bëjnë mbi 80% asistencë  dhe 20% urgjencë mjekësore, midis tyre edhe Gjermania”.

“Pranë QKUM në një sektor të veçantë gjithmonë për arsye të teknologjisë është numri i gjelbër 08004040 që lidh mjekun e familjes me qytetarin, psikologët me qytetarin, informacion burokratik për procedurat, me fondin dhe farmacitë, pra aktivitetin e mjekësisë së familjes. Nëpërmjet 127 janë bërë nga 1 janari 665.685 thirrje, nga të cilat janë kryer 174.553 këshillime nga mjekët e Njësisë së Koordinimit dhe 118.405 vizita në banesë nga ekipet mjekësore. Nga këto vizita janë trajtuar në banesë 56.361 ose 47.6% dhe 72.044 ose 52.4% janë dërguar në spital. Thirrje për korona janë 164.425 nga të cilat janë bërë 9.936 vizita me Covid pozitiv në banesë dhe gjysma e tyre është trajtuar në shtëpi dhe pjesa tjetër është dërguar në spital”, tha Brataj.

Po ashtu Brataj shprehet se, “të gjithë pacientët që ndiqen nga mjekët e familjes kur përkeqësohen këshillohen nga ata të telefonojë 127 dhe të gjithë pacientët e qyteteve vlerësohen nga ekipet e terrenit, pastaj vizitohen nga infeksionistët ose pneumologët e spitaleve dhe pasi plotësohen me ekzaminime dhe nëse është e nevojshme transportohen në spitalet terciare, pra sipas sistemit të referimit nga urgjenca”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.