Shkelje e mosrespektim i ligjit/ Bashkia e Kukësit kallëzon në SPAK ish-kryebashkiakun Bashkim Shehu

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Bashkia e Kukësit ka kallëzuar në SPAK ish-kryebashkiakun Bashkim Shehu.

Bashkia e Kukësit ka njoftuar sot se janë konstatuar disa shkelje nga auditi i brendshëm i bashkisë Kukës, auditimi i jashtëm i Ministrisë së Financave dhe ai i KLSH.

Bashkia Kukës ka theksuar se janë konstatuar shkelje dhe mosrespektime të ligjit në fushën e prokurimit publik dhe të fushës së menaxhimit financiar publik të kryera në periudhën 2017-2018, konstatuar nga Drejtoria e Inspektimit Financiar, pranë Ministrisë së Financave në muajin Prill 2020.

“Nga ana e bashkisë Kukës, gjatë vitit 2017-2018 dhe konkretisht nga ish-Kryetari i Bashkisë dhe Drejtori i Financës, te cilët me dashje dhe me qëllim, kanë shpërdoruar (pa dokumentacion justifikues ose në disa raste justifikuar me dokumentacion fiktiv), rreth 600,000 USD për blerje nafte. Ka dyshime të arsyeshme se ky karburant është përdorur kryesisht nga ish-kryetari i Bashkisë, Shehu, në shkelje të plotë të ligjit pasi përdorimi i tij është bërë me qëllim furnizimin e mjeteve të transportit në interes dhe në mbështetje të fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Drejtoria e Financës, në dijeni, me kërkesë, për interes dhe në mbështetje të plotë nga ish-kryetari Shehu ka shpërdoruar fondet publike dhe konkretisht naftë për nevoja personale, elektorale të subjektit politik (si p.sh. transportimi i militantëve me autobus për në drejtim të Tiranës ku edhe zhvilloheshin mitingjet politike, transporti për llogari të zgjedhjeve etj.) dhe jo për nevojat e institucionit”, ka theksuar Bashkia e Kukësit.

“Ndërsa Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Bashkisë Kukës, në zbatim të programit të angazhimit të auditimit ka përfunduar auditimin në Bashkinë Kukës, për veprimtarinë e institucionit nga data 01.07.2017 deri më 30.06.2019,  ku ka konkluduar ndër të tjera se: Bashkia Kukës, nuk ka marr masa për miratimin nga Thesari përpara fillimit të procedurave të prokurimit, dhe mos raportimin e saktë dhe në kohë të angazhimeve dhe shpenzimeve buxhetore”, ka njoftuar Bashkia e Kukësit.

“Gjithashtu strukturat përgjegjëse të Bashkisë Kukës (ish-Titullarit/Kryetarit të Bashkisë), megjithëse në dijeni të shkeljeve nga Autoriteti Kontraktor, si në rastet e shkeljeve të afateve të regjistrimit të angazhimeve dhe shpenzimeve, nuk ka marrë asnjë masë administrative konkrete për të disiplinuar procesin, në përputhje me aktet ligjore në fuqi”, ka shtuar Bashkia.

“Ndërkohë këto struktura kanë kontribuar në krijimin e mundësive për kapërcimin e kontrolleve si në rastin e mos regjistrimit të planit buxhetor sipas Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA), lejimit të regjistrimeve të fragmentarizuar të urdhërprokurimeve, kontratave, dhe faturave në Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ), për shkak të mungesës së fondeve buxhetore disponibël”, ka vijuar Bashkia Kukës.

Po ashtu, ka shtuar Bashkia Kukës, “është hartuar dhe miratuar shtesë regjistri “Regjistri i Parashikimit të Prokurimeve Publike”, edhe këto shtesa rezultojnë të pakonfirmuara nga dega e thesarit”.

“Si pasoje vetëm nga bashkia Kukës për këtë periudhë kohore është akumuluar një borxh  rreth 20 000 000 $. Një shumë kjo tepër e konsiderushme për një bashki të vogël e cila ka një buxhet modest si dhe referuar faktit se me këto para thuajse nuk është bere asgjë për komunitetin ne këtë bashki”, ka nënvizuar bashkia Kukës.

Po ashtu, ka vijuar bashkia Kukës, “gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, dhe të fushës së menaxhimit financiar publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimit. Administrimit të dokumentacionit fizik. Mungesën për të marrë vulën e konfirmimit të fondeve disponibël në Degën e Thesarit përpara se të fillojë procesin e tenderimit. Kualifikim dhe shpalljen fitues pa të drejtë të operatorëve ekonomik të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura në DST, duke mos garantuar kryerjen me cilësi e sukses të kontratës, me pasojë përdorim të fondeve publike për investime, pa ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet në vlerën totale 1,645,591,090 lekë, në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe në shkelje të parimit të barazisë para ligjit”.

Po ashtu, ka theksuar bashkia Kukës, “edhe KLSH në kontrollin e kryer në vitin 2017, ka konstatuar shkelje flagrante të trajtuara më hollësisht në kallëzim. Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër dhe shkeljet e tjera, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, Bashkia Kukës ka kryer pranë Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë , sot me datë 04.11.2020, kallëzim penal ndaj shtetasit B.SH. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Kukës në cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, për konsumimin e elementëve të veprave penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” në bashkëpunim, “Pastrim të produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.