Shëmbëlltyrë spektakolare e një transformimi historik/ Parku ekologjik i Porto Romanos, destinacion i ri verën e ardhshme

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “parku ekologjik i Porto Romanos po merr formë dita-ditës dhe verën e ardhshme shpresoj të jetë një destinacion i ri, jo vetëm për qytetarët e Durërsit, por edhe për turistët”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së ankandit për ndërtimin e parkut foltvoltaik të Spitallës në Durrës, Kryeministri Rama theksoi se “parku i Porto Romanos do të ofrojë një hapësirë krejt të re për të gjithë në funksion të rekreacionit”.

“Ky park do të jetë një shëmbëlltyrë spektakolare e një transformimi historik nga plaga e gangrena e plehrave që për dekada të tëra u kalbën mbi tokë në vargmale të turpshme që bënë dhe xhiron e botës hera-herës nëpër medie të njohuram si një katastrofë mejdisore në mes të Europës në një shëmbëlltyrë të bukur dhe kuptimplotë të një vizioni për të ardhmen e këtij vendi”, – tha Rama.

Porto Romano konsiderohej si pika më e ndotur në bregdetin e Durrësit, me mbi 800 mijë m3 mbetje, ndërkohë që falë investimit në këtë zonë po kryhet kapsulimi sipas standardeve mjedisore europiane.

Projekti i cili pritet të përfundojë në maj 2021 parashikon zonë parkingu, kopsht botanik dhe ambiente sportive ku përfshihen 3 fusha basketbolli, 1 fushë futbolli dhe një fushë tenisi. Po ashtu pritet të ndërtohet edhe Climbing Wall me 28 metra lartësi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.