Rimbursimi i ilaçeve antiCOVID/ Përfitues si ata që janë të siguruar, por edhe të pasiguruar

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli mbështetës që në momentin që është miratuar vendimi janë trajtuar me shtesën 1 mijë euro apo 500 euro në varësi të pozicionit që janë dhe kjo mbështetje do të vijojë. Janë 550 mjekë që trajtohen me të tillë pagesë ekstra, 1130 infermierë, 134 epidemiologë dhe 754 staf mbështetës.

Kështu deklaroi sot gjatë një interviste televizive deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti ku theksoi se të gjithë qytetarët që janë prekur nga COVID -19 dhe kanë marrë trajtim në kushtet e shtëpisë tashmë përfitojnë rimbursim të medikamenteve.

“Vendimi për rritjen e pagave me 40% në 2021 e në vijim është një vendim që vjen në vazhdën e mirënjohjes. Nga 2013 deri më sot pagat e personelit mjekësor janë rritur me 27%”, tha Gjylameti.

“Buxheti i vitit 2021 adreson 1.2 miliardë lekë për rimbursimin e barnave për të prekurit me COVID-19, ndërkohë që rimbursimi nis edhe këta dy muajt e fundit të vitit 2020”, u shpreh ajo.

“Pjesë e strategjisë kombëtare për mbulimin shëndetësor, ose përfitues të rimbursimit, do të jetë si ata që janë të siguruar por edhe ata që nuk janë të siguruar. Mjekimi do të merret nga mjeku i familjes përmes recetës elektronike dhe qytetarët do t’i tërheqin ilaçet në farmaci”, – tha ajo.

Gjylameti theksoi se, “rritja e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale është 23% më shumë se viti 2020 dhe që përfshin jo vetëm pjesën e mbështetjes së investimeve në infrastrukturën spitalore por edhe pjesën e rritjes së pagave për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor që janë rreth 18 mijë të tillë, të cilët nga janari i 2021 do të marrin rritje të pagës me 40%”.

“4.5 miliardë lekë është fondi i adresuar për rritjen e pagave në sistemin e shëndetësisë, ndërkohë që për 1 milionë e 140 mijë doza të vaksinës antiCovid qeveria ka financuar një fond prej 1.5 miliardë lekë”, – deklaroi Gjylameti./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.