TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Gjatë vitit 2021 parashikohet të disbursohen 30 milionë euro të tjera nga programi IPARD II.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, pavarësisht situatës së vështirë që ka krijuar situata e COVID-19, bujqësia është një nga sektorët që ia ka dalë të shënojë ecuri pozitive.
Sipas AZHBR-së, deri tani në programin IPARD II kanë aplikuar për të përfituar grante për investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë, 669 fermerë dhe subjekte dhe janë lidhur 233 kontrata me një vlerë injektimi financimi prej 69 milionë euro.
Ndërsa një valë e re investimesh pritet të nisë vitin e ardhshëm, ku hapet thirrja e tretë e financime nga programi IPARD II (10 dhjetor 2020 – 25 janar 2021) për fermat bujqësore, vreshtat, produktet e mishit e qumështit, ku parashikohet të disbursohen rreth 30 milionë euro të tjera investime në këtë sektor. /j.p/r.e/