Parku fotovoltaik i Spitallës në 120 ha me fuqi maksimale 100 megavat/ Balluku: Fituesi shpallet më 2 mars

TIRANË, 19 nëntor/ Qeveria shqiptare hap akandin e dytë për ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Spitallës në Durrës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se fituesi i ankandit do të shpallet më datë 2 mars, ndërsa punimet për ndërtimin e këtij parku do të nisin në verën e vitit 2021.

“Duke qenë se pas Karavastasë kemi patur kërkesa të larta nga investitorë të huaj, të cilët janë ata që kanë mundësi financiare dhe kapacitete për të investuar, vendosëm të nisim menjëherë këtë proces”, tha Balluku.

“Parku fotovoltaik i Spitallës shtrihet në një sipërfaqe prej 120 ha dhe do të prodhojë fuqi maksimale prej 100 megavat nga të cilat 70 megavat do të blihen nga OSHEE dhe 30 megavat do të disponohen në treg të lirë nga podhuesi. Çmimi do të vendoset përmes ankandit tashmë një procedurë e shkelur dhe e suksesshme e ndjekur në ankandin për parkun e Karavastasë. Ankandi nis nga 55 euro dhe nuk pranohet asnjë ofertë sipër kësaj vlere që i referohet çmimit mesatar të blerjes së energjisë elektrike nga importi dhe prodhimi vendas i energjisë elektrike”, u shpreh minsitrja Balluku gjatë ceremoniesë së çeljes së ankandit që u zhvillua në Tiranë.

Balluku shtoi se rrezatimi maksimal i kësaj zone që varion nga 3.2 deri 4.8 kilovat/orë për m2 e bën shumë interesante këtë zonë për investitorit e huaj.

Ministrja bëri të ditur se i gjithë procesi përfundon në 2 mars të 2021 për t’i dhënë pastaj një frymë ecurisë për firmosjen e të gjitha kontratave dhe nisjes së ndërtimit të parkut në verën e 2021-it. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.