OSBE, mbështetje teknike për përmirësimin e profesionalizmit të raportimit të lajmit

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryetari i ri i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, tha sot se OSBE ofron mbështetjen teknike nëpërmjet zbatimit të projekteve tematike që synojnë të përmirësojnë nivelin e profesionalizmit të raportimit të lajmit.

Në Forumin e 6-të Vjetor të Mediave të OSBE-së organizuar sot në Tiranë, Del Monaco tha se “OSBE ofron gjithashtu mbështetje për ta bërë më transparente pronësinë e medias, të mbështesin median në procesin e vetërregullimit, të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë e grave gazetare, të përmirësojnë punën dhe profesionalizmin e transmetuesit publik”.

“Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi të theksoj se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë për sektorin e medias me Delegacionin e Bashkimit Europian dhe se pres me padurim të vazhdojmë ta zgjerojmë”, – tha Del Monaco.

Më tej, ambasadori Del Monaco u shpreh se e vlerëson idenë që cilësia e informacionit të shihet si investim për të ardhmen.

“Profesionalizmi dhe cilësia janë përbërës thelbësorë për të pasur një shoqëri të pjekur konsumatore të medias, veçanërisht tani që përftojmë një sasi të pafundme informacioni që qarkullon lirshëm dhe që është i qasshëm për një publik mjaft të gjerë”, – tha ai.

Në këtë forum, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca njoftoi mbështetjen e re të BE-së për mediat shqiptare.

“Kam kënaqësinë të flas përsëri në Forumin e Mediave të OSBE-së dhe të nxis autoritetet shqiptare të përdorin çdo mundësi për të vazhduar dialogun me aktorët e medias mbi ndryshimet në ligjin e medias për të siguruar një ndikim pozitiv në lirinë e shprehjes. Mbështetja më e madhe për gazetarinë e pavarur hulumtuese, të bazuar në fakte, për të siguruar që zërat e demokracisë të dëgjohen dhe shtyllat e pluralizmit të mbahen të forta,” tha Ambasadori Soreca gjatë fjalimit.

Ai tha se “po mblidhemi në një kontekst të vështirë. COVID-19 e ka bërë më të vështirë rrugën drejt së vërtetës përballë lajmeve të rreme dhe teorive të konspiracionit. Me valët e pandemisë, erdhën valë të reja dezinformimi që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme”.

Në këto rrethana, tha Soreca, gazetaria me cilësi të mirë është më e rëndësishme se kurrë për demokracitë në të gjithë botën.

“Në diskutimet tona të kaluara mbi situatën e medias në Shqipëri unë kam theksuar dy karakteristika kryesore që përcaktojnë gazetarinë e mirë: ndjenjën e detyrës në zbulimin e keqbërjeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë në raportimin e plotë të fakteve. Të dyja bëhen edhe më thelbësore në kohë krizash”, nënvizoi ambasadori.

Gjithashtu, Soreca tha se “me synimin për të mbështetur gazetarinë e pavarur investigative, ne tani po fillojmë një program të ri për të rritur kulturën e raportimit të pavarur dhe të bazuar në fakte në Shqipëri. Ne po vendosim 750.000 euro në këtë përpjekje, duke e bërë atë një nga mbështetjet më të mëdha për gazetarinë e pavarur në vend”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.