MV- Pendarovski: Këshilli i Sigurisë ka propozuar gjendjen e krizës përballë pandemisë

SHKUP, 19 nëntor /ATSH-MIA/ – Këshilli i Sigurisë i ka propozuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës kombëtare, për një periudhë 30-ditore, njoftoi sot presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas një takimi të Këshillit.

“Situata e COVID-19 në vendin tonë është jashtëzakonisht serioze”, theksoi ai.

“Ajo është edhe më e rëndë se vala e pranverës dhe duhet të mendojmë për masa të reja të mundshme ose të shqyrtojmë efektet e atyre ekzistuese, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit”, shtoi Pendarovski.

Presidenti njoftoi se shpallja e gjendjes së krizës i mundëson Ligjit për Mbrojtjen dhe Ligjit për Ballafaqimin me Krizat që të ofrojnë mundësi më të gjera për mbështetje nga ushtria të institucioneve kompetente, para së gjithash, të institucioneve të shëndetësisë.

Sipas tij, kjo gjendje e lejon qeverinë të menaxhojë burimet e organeve shtetërore, ndërmarrjeve publike, komunave, si edhe të shoqërisë tregtare, që në këtë rast janë objektet shëndetësore private./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.