Macron rikonfirmon mbështetjen për Kosovën dhe vizitën e tij zyrtare

PRISHTINË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilloi sot një video-konferencë me presidentin e Francës Emmanuel Macron, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut, liberalizimin e vizave dhe Dhomat e Specializuara.

Macron fillimisht falënderoi kryeministrin Hoti për mbështetjen që i kanë dhënë Francës, me rastin e sulmeve të fundit terroriste në Paris.

Kryeministri Hoti ndërkaq, vlerësoi lart kontributin e çmuar që ka dhënë Franca në mbështetje të shtet ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës.

Ai e njoftoi presidentin Macron me veprimet e fundit nga Dhomat e Specializuara që sollën edhe dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi.

Hoti e siguroi Macron se Qeveria e Kosovës me përkushtim do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunues konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë që partitë politike parlamentare janë të gatshme për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjet dhe kushtetutën.

Presidenti Macron përshëndeti sjelljen me dinjitet, pjekurinë e kulturën e lartë politike të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, pas veprimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara.

Hoti dhe Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktual. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit.

Lidhur me liberalizimin e vizave, kryeministri Hoti dhe presidenti Macron, u dakorduan që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve.

Presidenti Macron gjithashtu iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Hoti, për një vizitë shtetërore në Kosovë, por nuk janë dhënë detaje se kur do të mund të realizohet. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.