Gati nisja e punimeve për parkun energjetik të Karavastasë, më i madhi në vend/ Balluku: Përfundojnë brenda 24 muajsh

TIRANË, 19 nëntor/ Kompania franceze “Voltalia” pritet të nisë shumë shpetj punimet për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ka përfunduar i gjithë procesi i firmosjes edhe të kontratës së fundit, atë të shitjes së energjisë mes kompanisë “Voltalia” dhe OSHEE-së.

“Parku energjetik më i madh në vend, ai i Karavastasë është gati për të filluar ndërtimin e tij dhe për ta pasur gati për 24 muaj, për të pasur një sasi të konsiderueshme prej 70 megavatësh në dispozicion të OSHEE-së dhe pjesën tjetër për ta tregtuar në treg të lirë”, tha Balluku gjatë ceremonisë për çeljen e ankandit për ndërtimin e parkut të dytë fotovoltaik në vend në Spitallë, Durrës.

Duke u bazuar në eksperiencën e shkëlqyer që ne patëm me BERZH dhe konsulentët e angazhuar, vijoi ministrja Balluku, qeveria vendosi për një projekt të ri në fushën e diversifikimit të energjisë elektrike.

“Në Shqipëri, ne prodhojmë 100% energji të rinovueshme dhe nëse sot në Europë flitet për diversifikim të energjisë elektrike, në Shqipëri flitet për diversifikim të burimeve energjetike të rinovueshme. Kështu, përveç energjisë që ne marrim nga kasakada e Drinit, por edhe nga HEC-e të tjera në vend pas 24 muajsh, ne do të kemi edhe sasi të energjisë solare të prodhuar nga panelet fotovoltaike”, tha Balluku.

Sipas saj, bazuar edhe në eksperiencën mjaft të mirë e të suksesshme që u arrit në ankandin e Karavastasë me një çmim prej 24.86 euro për megavat, ofertuar nga kompania e madhe franceze Voltalia, vendosëm të hapim një tjetër ankand në zonën e Spitallës. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.