FOTO/ Drejt përfundimit rindërtimi i shkollës “Fshat Rinia” në Katund të Ri, kushte optimale për 247 nxënës

TIRANË, 19 nëntor /ATSH – I. Vata/ Rindërtimi i shkollës e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” në njësinë administrative të Katundit të Ri, Durrës po shkon drejt përfundimit për të mirëpritur pas pak ditësh 247 nxënës si dhe 25 fëmijë në kopshtin e ri të ndërtuar, që është pjesë e kësaj shkolle.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako e cila thekson se procesi i rindërtimit të institucioneve arsimore vazhdon me ritme të shpejta.

“Po kryhen punimet e fundit në shkollën e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” në njësinë administrative të Katundit të Ri. Kjo shkollë është ndërtuar e re me fondin e Bashkisë së Durrësit dhe do të mirëpresë pas pak ditësh 247 nxënës si dhe 25 fëmijë që do të shkojnë në kopshtin, i ndërtuar i ri, që është pjesë e kësaj shkolle”, shprehet Sako.

Ajo shton se, “krahas 31 shkollave që Durrësi përfiton nga procesi i rindërtimit, bashkia e qytetit ka vijuar me ndërtimin e shkollave të tjera të reja që janë parashikuar në buxhetin e Bashkisë”.

Sako thekson se arsimi ka qenë prioritet i bashkisë së Durrësit dhe mbështetja për këtë sektor do të vijojë edhe në vitin e ardhshëm.

“Shkolla e re 9-vjeçare “Fshat Rinia” ka 17 klasa, 3 laboratorë, 1 bibliotekë, 1 dhomë psikologu etj. Kjo shkollë si edhe kopshti me të njëjtin emër janë ndërtuar me standarde të larta sigurie dhe nxënësit dhe fëmijët do të kenë ambiente bashkëkohore”, tha ajo.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.