Drejtësia Penale për të miturit/ Krijohen 22 degët territoriale të shërbimit të provës

TIRANË, 19 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se, “pas hyrjes në fuqi të Kodit të Drejtësisë Penale për të miturit, në 22 degët territoriale të shërbimit të provës janë 24 specialistë dhe 1 inspektor të trajnuar për trajtimin e çështjeve të të miturve në konflikt me ligjin”.

“Kemi hartuar formatet e raportit të vlerësimit individual, instrumentit të vlerësimit të riskut, planit individual të trajtimit, si dhe raportet e përmbushjes dhe mospërmbushjes së masës alternative të shmangies për të miturit në konflikt me ligjin”, tha ajo.

Po ashtu, Gjonaj shton se, “shërbimi i provës ka nisur të zbatojë marrëveshjet e bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe bashkive për aplikimin e masave alternative të shmangies për të miturit në konflikt me ligjin”.

“Janë trajtuar shtatë të mitur ndaj të cilëve janë aplikuar masat e shmangies, nga të cilët tre i kanë përmbushur me sukses”, tha ajo. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.