COVID-19 – Japonia në alarm maksimal pas një numri rekord rastesh

TOKIO, 19 nëntor /ATSH-AFP/ – Japonia është në alarm maksimal pasi ka regjistruar një numër rekord infektimesh ditore me koronavirusin e ri, deklaroi kryeministri Yoshihide Suga, pa parshikuar masa të reja kufizuese.

Mbi 2 000 raste pozitive me COVID-19 u regjistruan të mërkurën në vend, një rekord kombëtar.

Tokio ka kaluar sot pragun e 500 rasteve të reja ditore, sipas medias lokale, një rekord i dytë për kryeqytetin e vendit pas 493 rasteve të regjistruara një ditë më parë.

Megjithëse relativisht i ulët krahasuar me vendet e tjera, këto shifra tregojnë një rishfaqje të papritur të pandemisë në arkipelagun japonez, ku testet nuk kryhen në një shkallë të gjerë.
“Unë konsideroj se tani jemi në gatishmëri maksimale”, theksoi kryeministri për gazetarët.
“Unë i kërkoj popullit japonez që të marrë në mënyrë sistematike masa të tilla si mbajtja e një maske”, shtoi Suga, duke e konsideruar të dëshirueshme që t’i përdorë ato edhe gjatë bisedave në restorant.

Sipas stacionit televiziv shtetëror NHK, Suga thirri takime ekspertësh të enjten dhe të premten për të diskutuar për numrin në rritje të infektimeve përpara se qeveria të parashikojë masa shtesë.

Kryeministri tha se ai do të mbështesë prefekturat duke u bërë thirrje bizneseve të mbyllen më herët dhe se duhet të merren parasysh kufizime të tilla si kufizimi i tryezave në katër persona.

“Ne jemi në një fazë të zgjerimit të shpejtë të numrit të infeksioneve” komentoi Norio Omagari, një specialist japonez në sëmundjet infektive pas një takimi mbi gjendjen shëndetësore në Tokio në prani të guvernatorit të kryeqytetit, Yuriko Koike./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.