COVID-19/ Bino: Masat ndikojnë në sheshimin e kurbës, të gjithë të kontrollojmë normalitetin e ri

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, theksoi sot se “edhe në momentin që do të kemi vaksinën ajo mund të mbrojë ata që janë më vulnerabël, por përsëri masat do të vijojnë të zbatohen deri sa vaksina të ketë impakt mbi transmetueshmërinë e sëmundjes”.

Në fjalën e saj në konferencën për shtyp bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, Bino tha se “matjen e impaktit të masave të fundit nuk e shikojmë menjëherë do pak kohë të matet, pasi sëmundja ka periudhën e inkubacionit që shkon deri në 2 javë. Impakti do shikohet më vonë, por jemi duke e monitoruar”.

Sipas saj, së bashku me testimin, gjurmimin, masat janë të rëndësishme që do të ndikojnë në sheshim të kurbës dhe në shpëtim të jetëve.

“Pas bllokimit ne pamë efikasitet ashtu sikurse pamë rritje të numrave kur nuk u zbatuan si duhet protokollet e sigurisë. Kemi një bllokim të pjesshëm, janë masat e tjera të ndalimit të grumbullimeve apo të ndryshme, të cilat janë masa me një intensitet mesatar. E rëndësishme është mbajtja e maskës. Pavarësisht vendimeve që ne marrim, strukturave që i kontrollojnë ato, ajo që është më e rëndësishme është që të gjithë ne të kontrollojmë normalitetin e ri”, – nënvizoi Bino.

Bino tha se “një veprim i pakontrollluar shkakton vdekjen e një të moshuari, një grupi vulnerabël që preket nga kjo sëmundje, më vjen keq që po e them këtë”.

Duke folur për testet e shpejta Bino tha se “ky është revolucion, pasi do të ofrojnë testimin sa më afër qytetarit dhe kryerjen sa më shpejt të tij, si dhe do ndihmojë edhe në ziolimin dhe masat e menjëhershme të kontrollit”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.