Bylykbashi: Ndryshimet në ligjin e Gjendjes Civile, përpjekje e radhës për të legjitimuar kaosin e listave të zgjedhësve

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se, “ndryshimi i fundit i ligjit të Gjendjes Civile me ndikim në zgjedhje, vetëm 5 muaj para zgjedhjeve, ‎ndryshim me të cilin Qeveria heq sanksionet ‎për mosdeklarim të vendbanimit, janë vetëm një përpjekje e radhës e Ramës që të legjitimojë shkeljet dhe kaosin e listave të zgjedhësve”.

“Çdo manipulim në regjistrat e Gjendjes Civile është manipulim i listave të zgjedhësve. Edi Rama po i kthen standardet e zgjedhjeve tek niveli skandaloz i viteve 2000-2003”, u shpreh Bylykbashi.

Por, tha ai, “këto manipulime të trasha po dalin mbi ujë, do të bllokohen dhe shkelësit e ligjit deri tek nëpunësit e Gjendjes Civile që falsifikojnë të dhënat do të përgjigjen”.

“Presidenti i Republikës ia ktheu mbrapsht këtë ligj me shkelje të standardeve të zgjedhjeve. Me shumë të drejtë ai ngriti alarmin për këtë përpjekje për manipulim ‎të listave nga Qeveria. Por Edi Ramës nuk i shohin sytë kur afron humbja e zgjedhjeve. Kur ka frikë se humb ai përpiqet të shkatërrojë zgjedhjet‎. Pavarësisht tentativave të dëshpëruara, më 25 prill 2021 ai thjesht humb”, theksoi Bylykbashi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.