“Buxheti 2021 në shërbim të aferave korruptive”/ Teliti: 4.1 milionë euro për inceneratorin e Tiranës

TIRANË, 19 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Buxheti 2021 në shërbim të aferave korruptive”, deklaroi sot ish-deputeti i PD-së Dorian Teliti, ndërsa thekson se Edi Rama dhe Erion Veliaj u hoqën qytetarëve 4.1 milionë euro për t’ia shtuar inceneratorit të Tiranës.

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së, Teliti tha se kur bëhet fjalë për qytetarët për t’i ndihmuar në këto muaj të vështirë të pandemisë, Edi Rama thotë se nuk ka para.

“Nuk ka para Edi Rama për të kryer testimet e popullatës. Nuk ka para Edi Rama për pensionistët që t’iu japë 2 mijë lekë të reja në muaj për maska e alkool. Nuk ka para Edi Rama për të ndihmuar me një bonus mujor dhjetëra mijëra kryefamiljare që kanë humbur vendin e punës e nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët e tyre. Nuk ka para Edi Rama për bonusin prej 1000 euro për 100 mije bizneset e vogla duke i braktisur ata, e duke i çuar drejt falimentit me qindra dita-ditës. Jo qytetarë jo, për ju Edi Rama para nuk ka, pasi paratë e taksave tuaja nuk i ka për ju, nuk jua kthen ashtu siç duhet dhe nevojitet, por paratë tuaja i ka dhe i çon për të financuar miqtë e qeverisë dhe kontratat koncesionare. për inceneratorët e korrupsionit para ka patur, ka dhe gjithmonë do të ketë”, tha ai.

“Tre ditë me parë, në mënyrë tinëzare, në seance plenare të Kuvendit ilegjitim, ku po disktutohej dhe miratohej nen për nen buxhetit i vitit të ardhshëm, Edi Rama miratoi amendamentin e kërkuar nga Erjon Veliaj, për ti dhënë këtij të fundit 4.1 milionë euro shtesë vetëm për të financuar inceneratorin e Tiranës. Ndonëse fillim viti u rritën nga 15% në 64% tarifat e pastrimit që paguajnë bizneset dhe qytetarët e Tiranës, përsëri para të tjera shtesë nga taksat tona shkojnë për këtë incenerator”, u shpreh Teliti. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.