TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kreditimi i bujqësisë në tremujorin e tretë të këtij viti zuri 1.4% e totalit të kredisë për biznesin.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se kjo peshë është e ngjashme me fundin e vitit 2019.
Ndërkohë që dinamika e financimit të bujqësisë po merr ritëm të ri vitet e fundit.
Qeveria ka marrë iniciativa për rritjen e financimit të këtij sektori që gjeneron rritje të prodhimit vendas.
Ndër më të rëndësishmet ishte bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për skemën ambicioze të garancisë financiare për fermerët. Ndërsa po vijojnë skemat e subvencionimit dhe programet e ndryshme me financim edhe nga donatorët, të cilat po injektojnë financim të vazhdueshëm në këtë sektor.
Sipas ekspertëve rritja e ndjeshme e financimit vitet e fundit në vlera shumë më të larta në raport me vitet më parë për këtë sektor, është një sinjal pozitiv i trendit të rritjes ku po hyn bujqësia sot. /j.p/r.e/