Truri, zbulohen qelizat që shkaktojnë keqformime të enëve të gjakut

MILANO, 18 nëntor /ATSH-ANSA/- Qelizat që mbështjellin venat në tru mund të jenë përgjegjëse për ‘kavernomat cerebrale’, keqformimet e enëve të gjakut që marrin një formë të veçantë grumbullimi, duke u bërë në mënyrë të efektshme tumore beninje që rrjedhin gjak lehtë dhe duhet të hiqen kirurgjikalisht,  sipas studimit të botuar në revistën ‘’eLife’’ nga Firc Institute of Molekular Oncology (Ifom) dhe nga Universiteti Shtetëror i Milanos, në bashkëpunim me Universitetin e Uppsala në Suedi.

Grupi kërkimor Ifom dhe Universiteti i Milanos i udhëhequr nga Profesor Elisabetta Dejana, eksperte në angiogjenezën e tumorit, zbatoi teknikat më të përparuara të analizës gjenomike me një qelizë të vetme për të karakterizuar profilin gjenetik të qelizave endoteliale që mbështesin mbështjelljen e enëve të gjakut.

Duke përcaktuar identikitin gjenetik të secilës qelizë ishte e mundur të rindërtohej heterogjeniteti që karakterizon indin endotelial, duke njohur se si keqformimet e shkaktuara nga mutacioni i gjenit CCM3 burojnë në mënyrë selektive nga qelizat endoteliale të venave: pasiviteti i gjenit shkakton një përhapje masive dhe vonon maturimin e saj, duke shkaktuar kështu lezione.

Nga ana tjetër, qelizat endoteliale të arterieve nuk preken nga humbja e gjenit dhe nuk kontribuojnë në zhvillimin e lezioneve: identifikimi i mekanizmave që bllokojnë reagimin e tyre ndaj mutacionit do të jetë thelbësor për zhvillimin e terapive të reja.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.