Titulli “Mjeshtër i Madh” për boksierin dhe trajnerin Skënder Kurti (pas vdekjes)

TIRANË, 18 nëntor /ATSH – I. Vata/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” boksierin dhe trajnerin e shquar të KS “Tirana” dhe ekipit tonë kombëtar, Skënder Kurti (pas vdekjes).

Meta vlerësoi “Mjeshtrin e Madh” të boksit shqiptar, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e boksit dhe trajner i shquar i Klubit Sportiv ‘Tirana’ dhe Ekipit Kombëtar. Një personalitet i dashur, i respektuar, një shembull frymëzimi dhe suksesi për të gjithë brezat e rinj”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, Presidenti Meta u shpreh, “është kënaqësi e veçantë të nderojmë të paharruarin Skënder Kurti, sportistin dhe trajnerin universal e të suksesshëm të sporteve burrërore e luftarake, të mundjes dhe boksit shqiptar”.

“Skënderi e fillon karrierën e tij sportive me fitimin e 2 titujve kampionë me të rinjtë në sportin e mundjes, duke paralajmëruar se kësaj disipline sportive, po i vinte një sportist kampion, ambicioz dhe i suksesshëm. Por, me rikthimin e boksit në Shqipëri, Ai bëhet një promotor i suksesshëm në zhvillimin e këtij sporti, duke ngritur ekipin e boksit të Gardës së Republikës, me emrin “Shqiponja”, që shumë shpejt u afirmua në arenën kombëtare dhe rivalizoi për vite me radhë krahas Vllaznisë, Partizanit, Tiranës dhe mjaft ekipeve të njohura”, tha ai.

Meta shtoi se, “ai kthehu traditën e bukur të këtij sporti, plot adrenalinë dhe emocione, duke themeluar ekipin e boksit në klubin “Tirana” me boksierë të talentuar dhe kampion. Për vite me radhë, ai përgatiti nga duart e tij boksierë të nivelit më të lartë dhe kampionë, duke fituar 2 tituj kampionë dhe 10 Kupa Republike. Njëkohësisht, Neri ka qenë një trajner i suksesshëm në stafin e Ekipit Kombëtar. Komuniteti i boksit e adhuronte Nerin, jo vetëm për cilësitë e tij njerëzore, për përgatitjen dhe mentalitetin triumfues, por edhe për fisnikërinë dhe qytetarinë. Ai ka qenë pa diskutim një personalitet i boksit shqiptar, shumë i njohur dhe i vlerësuar edhe në arenën ndërkombëtare. Karriera e tij sportive u ndërpre për fat të keq nga pandemia COVID-19, që e ndau atë nga familja, nga boksi, nga sporti, nga shokët dhe miqtë e tij, që aq shumë i donte dhe i respektonte, dhe që aq shumë e duan edhe ata sot”.

“Shembulli dhe sukseset i tij janë një burim frymëzimi për të gjithë sportistët e trajnerët e rinj”, tha në fund Meta. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.