Skemat mbështetëse/ La emigracionin dhe investoi në vendlindje, Ilir Bega fuqizoi fermën në Mamurras me grantet e AZHBR-së

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Skemat mbështetëse për bujqësinë përmes Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor e Rural kanë mbështetur fermerët për të zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri.
I tillë ishte rasti i Ilir Begës nga Mamurrasi, i cili la emigracionin për t’u kthyer në vendlindje, ku me mbështetjen e AZHBR-së ka ngritur fermën e tij.
Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e Ilirit, i cili vendosi që kursimet e tij të investojë e të fitojë akoma më shumë.
“Mirëmëngjes dhe me historinë frymëzuese të Ilirit, kthyer nga emigracioni për të investuar në vendin e vet, ku ka marrë edhe mbështetjen financiare të AZHBR që bashkë me kursimet e tij të investojë e të fitojë akoma më shumë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Iliri shprehet se fermën e nisi me 10 krerë lopë dhe me mbështetjen e AZHBR-së ka arritur në 30 krerë aktualisht.

“Merrem me mbarështim blegtorie. Vendosa të largohem nga emigracioni, të vij të punoj në vendin tim. E fillova me 10 krerë nga kursimet që pata nga emigracioni dhe sot aktualisht kam 30 krerë. Nga AZHBR kam marrë mbështetje vazhdimisht që kur kanë filluar aplikimet. Ka qenë një motivim për ta vazhduar punën. Synimi është ta zgjeroj aktivitetin në vendin tim dhe t’ia trashëgoj fëmijëve. Në ditë prodhohet 25-40 litra për kokë. Dua të aplikoj për diçka më tepër, dua të hyj në tregun ndërkombëtar”, u shpreh ai. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.