Rindërtimi në Durrës/ Nxënësit rikthehen në shkollën “Neim Babameto”, mjedise fantastike mësimi e argëtimi

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Shkolla “Neim Babameto” në Durrës e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, ka rihapur tashmë dyert pas rindërtimit me standarde bashkëkohore për 794 nxënësit e saj.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ishin sot në Durrës, ku panë nga afër ambientet e rikonstruktuara të shkollës “Neim Babameto”, si dhe punimet që po kryhen në shkollën Profesionale të Durrësit.
“Çfarë kënaqësie për sytë e për zemrën rilindja e shkollës “Neim Babameto”, ku sot janë kthyer fëmijët e mësuesit, që kanë gjetur një mjedis fantastik mësimi e argëtimi, pa asnjë krahasim fare me shkollën e vjetër që shembi tërmeti (ku mësimi bëhej me dy turne, ndërsa në shkollën e re do të ketë vetëm një turn)”, tha Rama.

Ministri Ahmetaj tha se shkolla “Neim Babameto” ka 28 klasa, 5 laboratorë, palestër realisht spektakolare. “Kjo është një nga 31 shkollat që ne bashkë me Komisionin Europian po bëjmë në bashkinë e Durrësit. Kjo është investuar nga buxheti i shtetit dhe e bëmë në kohë rekord”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë kanë nisur edhe rikonstruksionet e financuara nga Bashkimi Europian, pjesë e të cilave është edhe Shkolla Profesionale e Durrësit.

Ahmetaj tha se “shkolla e mesme profesionale është pjesë e listës së shkollave që po ndërtohen nga Komisioni Europian”. “Është një nga 5 shkollat e para që ka filluar punë përmes UNDP-së, pjesë e grantit prej 115 milionë euro të dhëna nga Komisioni Europian dhe është në fazë të avancuar rikonstruksioni”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë ai theksoi se grupi i dytë i shkollave të financuara nga KE është në proces përgatitje projektesh dhe fazë prokurimi, një pjesë e tyre nga vetë donatori.

Ahmetaj theksoi se “në fund të janarit 2021 pritet që kjo shkollë të rihapë dyert për nxënësit”. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.